TIRANË, 18 mars/ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj u ndal sot në Shkodër ku zhvilloi një takim me agronomët dhe specialistët e Agjencisë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor Shkodër.
Denaj bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua për hapat që duhet të ndjekin fermerët për të aplikuar për të përfituar fonde nga Skema Kombëtare e Mbështetjes për bujqësinë.
Ministrja Denaj informoi se është përmirësuar menaxhimi i Skemës Kombëtare 2024, për të bërë më të lehtë aplikimin për fermerët.
“U takuam me agronomët dhe specialistët e Agjencisë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor Shkodër, ku diskutuam sfidat dhe nevojën për t’i qëndruar pranë fermerit në çdo hap të aplikimit, veçanërisht kultivuesve të Bimëve Aromatike Mjekësore, sektor potencial ekonomik i Malësisë së Madhe”, u shpreh Denaj.
Aplikimet për Skemën Kombëtare nisin në datën 27 mars. Deri atëherë zyrat e AREB-it janë në dispozicion të plotë të çdo pyetjeje, të çdo sqarimi, të bërjes transparencë të çdo elementi të Skemës, por mbi të gjitha të krijimit të mundësisë për t’u bashkuar në grupime fermerësh, për ta bërë bujqësinë shqiptare të qëndrueshme.
“Për këtë na duhet një bashkim operatorësh i qendrueshëm, i suksesshëm, e për të cilin masa e përfitimit është maksimale”, tha Denaj.












