Ballina Aktualitet

Blinken përmbyll vizitën në Tiranë

TIRANË, 15 shkurt/ATSH/ Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken përmbylli pak minuta më parë vizitën e tij në Shqipëri, e gjashta e një Sekretari amerikan Shteti në vendin tonë.

Ai u përcoll në aeroportin “Nënë Tereza” nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.

Sekretari amerikan i Shtetit mbërriti në Shqipëri rreth orës 11:00 dhe përgjatë 8 orëve të qëndrimit në vendin tonë zhvilloi një axhendë intensive takimesh.

Ai u takua me krerët më të lartë të vendit, Presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama, me të cilin doli në një konferencë të përbashkët për shtyp, ku konfirmoi partneritetin strategjik Shqipëri-SHBA.

Blinken mori pjesë në një aktivitet të veçantë rinor te Piramida e Tiranës, për të festuar të ardhmen e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri.

Ai u takua gjithashtu me drejtues të sistemit të drejtësisë dhe komunitetin e ambasadës amerikane në Tiranë.

Në kuadër të kësaj vizite, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken dhe ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani firmosën po ashtu Memorandumin e Mirëkuptimit Kundër Manipulimit të Informacionit të Shtetit të Huaj (dezinformimit) si dhe Memorandumin e Mirëkuptimit për Programin e Shkëmbimit Akademik Fulbright.

Fokusi i vizitës së Sekretarit amerikan të Shtetit në Tiranë ishte e ardhmja e Shqipërisë dhe e Ballkanit Perëndimor.

/m.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakShqipëri-Zvicër, projekt në sektorin e shëndetësisë
Artikulli tjetërKing-Smith takim me Kryetaren e KLGJ-së: Përparime në paanshmërinë dhe integritetin e gjyqësorit