Ballina Flash

Meta: Për Partinë e Lirisë arsimi është kryeprioritet kombëtar

TIRANË, 1 shkurt/ATSH/ Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u shpreh sot në mbledhjen e Këshillit Drejtues Kombëtar, se për këtë forcë politike arsimi është kryeprioritet kombëtar.

“Ne besojmë se investimi në arsim është investimi më madhor për të ardhmen e Shqipërisë. Ndaj kemi paraqitur 7 propozime konkrete dhe plotësisht të realizueshme për t’a rikthyer brenda një kohe të shkurtër arsimin në shinat e dijes sepse ne besojmë se në këtë mënyrë do të ndalim edhe shpopullimin”, u shpreh Meta.

Sipas Metës, rritja në masën 5% të PPB-së të buxhetimit të arsimit dhe miratimi në Kuvend me shumicë të cilësuar të ligjeve kryesore të arsimit, janë alternativa e duhur.

“Cilësia e arsimit shqiptar dhe investimi i qeverisë në arsim mbetet më e ulëta në rajon dhe Europë. Ndaj jo më kot jemi të 8-ët në botë për largimin e trurit, në vend të 69-të mes 80 vendeve sipas testit të PISA-s për rritjen e nivelit të analfabetizmit funksional, si edhe për rënien dramatike të nivelit të përvetësimit të dijeve. Sipas testit të PISA-s jemi më keq seç ishim në vitin 2018 dhe akoma më keq se në vitin 2015”, tha ai.

Meta theksoi se vetëm përmes rritjes së investimeve në arsim, kërkim shkencor dhe teknologji ne mund të rritim produktivitetin dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë tonë kombëtare.

Ai tërhoqi vëmendjen edhe për rritjen e çmimeve të ushqimeve bazë të shportës. “Ushqimet bazë në Tiranë janë 43,5% më të shtrenjta se në Prishtinë, 15,2% më të shtrenjta se në Podgoricë dhe 26,1% më shtrenjtë se në Shkup. Ndërsa fuqia blerëse është 6,9% më e ulët se në Prishtinë, 28,2% më e ulët se në Podgoricë dhe 17,2% se në Shkup”, tha ai.

/m.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakIKMT: Kundrejt subjektit të Latif Saraçit janë kryer të gjitha procedurat sipas ligjit
Artikulli tjetërDenaj me blegtorët e qarkut të Gjirokastrës, nevojitet bashkëpunim me pikat e grumbullimit