TIRANË, 14 janar/ATSH/ Ministri i Brendshëm, Taulant Balla u bëri thirrje sot të gjithë përdoruesve të rrugës të zbatojnë rregullat e qarkullimit,
Sipas Ballës, zbatimi i rregullave të qarkullimit rrugor nga këmbësorët, drejtuesit e automjeteve, motomjeteve dhe biçiklistët, është detyrim ligjor.
Moszbatimi i rregullave nga të gjithë përdoruesit e rrugës, theksoi ai, rrit pasigurinë e jetës në rrugë.
“Përdorni korsitë e dedikuara për lëvizjen e biçikletave, përdorni vendkalimet e caktuara për këmbësorët, si dhe tregoni kujdes maksimal atje ku ato mungojnë, për të shpetuar jetën tuaj dhe të të tjerëve, vendosni rripin e sigurimit, mos përdorni celularin gjatë drejtimit të automjetit dhe drejtuesit e motomjeteve dhe të biçikletave të përdorin kaskat mbrojtëse, si dhe gjatë natës të përdorin jelekë fosforeshenë, me qëllim shmangien e përfshirjes në ngjarje rrugore”, bëri thirrje ministri.























