Ballina Aktualitet

Soreca: BE në krahun e autoriteteve të drejtësisë

TIRANË, 9 nëntor /ATSH/ I Ngarkuari me Punë i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, ambasadori Luigi Soreca, deklaroi sot në një konferencë të përbashkët për shtyp me zëvendëskryeministren Belinda Balluku se, KE e njeh që Shqipëria ka vazhduar të bëjë progres në reformat në grupkapitujt thelbësorë, duke përfshirë këtu reformën në drejtësi.

Soreca tha se, procesi i anëtarësimit është në rrugë të mbarë pak më shumë se një vit pasi u zhvillua Konferenca e Parë Ndërqeveritare.

Shqipëria është e angazhuar aktivisht dhe ka treguar një angazhim të lartë në procesin e  shqyrtimit analitik.

Ai përgëzoi skuadrën e drejtuar nga ministrja Dhuka për përfaqësimin e Shqipërisë në negociatat me BE-në.

Soreca nënvizoi se, siç e rikonfirmon progresraporti objektivi ynë është që të hapim grupkapitujt thelbësorë nga fundi i këtij viti.

“Ne kemi hyrë në pikën kulmore të procesit të negociatave. Shqipëria do të ketë mundësinë të tregojë aftësitë e saj udhëheqëse dhe të tregojë një angazhim të qartë për përparimin e reformave. Raporti jep një vlerësim të drejtë të gjendjes ku ndodhet vendi dhe udhëzime për hapat që duhet të ndërmarrë Shqipëria”, tha ai

Sa i përket gjetjeve kryesore të raportit, Soreca theksoi se, “përgjithësisht raporti çmon që autoritetet shqiptare kanë vazhduar që të shprehin në mënyrë të përhershme angazhimin politik për objektivin strategjik të integrimit të BE-së. KE e njeh që Shqipëria ka vazhduar të bëjë progres në reformat në grupkapitujt thelbësorë, duke përfshirë këtu reformën në drejtësi”.

“Shqipëria ka mbajtur përputhshmërinë me politikat e jashtme dhe të sigurisë të BE dhe kjo ka rëndësi të veçantë në kontekstin gjeopolitik aktual dhe ne njohim plotësisht rolin që Shqipëria ka luajtur në Këshillit të Sigurimit të OKB-së që nga janari 2022, jo vetëm në përgjigje ndaj agresionit rus ndaj Ukrainë, por Shqipëria mbetet një sinjal i fortë i zgjedhjes strategjike të anëtarësimit në BE dhe rolit të saj si një partner i besueshëm i komunitetit të BE-së”, nënvizoi Soreca.

Sa i përket kriterit politik, Soreca tha se, “raporti siguron një vlerësim të përgjithshëm të zgjedhjeve vendore të 14 majit, ndërkohë që raporti shënon që zgjedhjet kanë qenë të miradministruara, konkurruese dhe me pjesëmarrjen e aktorëve kryesorë politikë dhe gjithashtu ngre disa shqetësime në lidhje me keqpërdorimin e burimeve shtetërore, pretendime për presion të punonjësve të sektorit publik dhe votuesve dhe pretendime për blerje votash. Mesazhi kryesor këtu është që dialogu politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës nevojitet për të pasur progres në reformat elektorale, duke trajtuar rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe Komisionit të Venecias”.

Sa i përket parlamentit, Soreca tha se, “raporti shënon që polarizimi i lartë politik ka vijuar që të ndikojë thelbësisht në veprimtarinë e parlamentit. Në të njëjtën kohë parlamenti ka miratuar me shumicë amendamentet legjislative për të fuqizuar rolin e tij në procesin e integrimit në BE”.

Soreca nënvizoi se funksionimi i gjyqësorit vijojnë që të zërë një pjesë të madhe të raportit vjetor.

“Komisioni shënon që zbatimi i reformës në drejtësi ka vijuar duke rezultuar në progres të mirë”, tha Soreca.

Sa i përket zhvillimeve, pozitive ai theksoi “avancimin e procesit të vetting-ut për gjyqtarët dhe prokurorët dhe përfundimin e emërimeve në Gjykatën Kushtetues, tashmë edhe të Gjykatës së Lartë”.

Ai tha se, “nevojiten përpjekje të mëtejshme për të rritur efikasitetin e sistemit të drejtësisë duke trajtuar kohëzgjatjen e madhe të procedimeve, punën e madhe të rritur dhe çështjet e prapambetura, veçanërisht në gjykatat e Shkallës së Parë dhe të Apelit”.

Sa i takon luftës ndaj korrupsionit, Soreca u shpreh se, “kjo konsiderohet ende një fushë që sjell shqetësime serioze ku ka nevojë të bëhet më shumë. në të njëjtën kohë SPAK ka arritur rezultate konkrete në hetimin e një sërë çështjeve të nivelit të lartë duke përfshirë lëshimin e disa mandat arresteve dhe arritjen e disa dënimeve të rëndësishme”.

Soreca nënvizoi se, duhet luftuar kultura e pandëshkueshmërisë.

“Autoritetet e drejtësisë do të kenë BE-në në krahun e tyre”, tha ai, teksa shtoi se, “ndjekja e parave duhet të jetë objektivi kryesor”.

Sa i përket luftës ndaj krimit të organizuar, Soreca u shpreh se, “bashkëpunimi i mirë me shtetet anëtare, EUROPOL dhe EuroJust ka vijuar. Ka pasur progres edhe në sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve të krimit të organizuar dhe kjo duhet të vijojë”.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBalluku: Skenat në Kuvend për të mbuluar problemet e udhëheqjes së opozitës
Artikulli tjetërSEUL – Blinken: Moska të mos transferojë teknologji ushtarake në Phenian