TIRANË, 6 nëntor/ATSH/ Kryetari i Rithemelimit në Partinë Demokratike në një prononcim për gazetarët të cilët u interesuan nëse do paraqitej në SPAK sipas masës së sigurisë së marrë ndaj tij në lidhje me hetimet e dosjes së ish-kompleksit “Partizani”, u shpreh se nuk ka njoftim.
Ai tha se është i gatshëm të shkojë në çdo kohë në SPAK për t’u përgjigjur çdo pyetje. “Nuk pranoj kurrë sanksionet antikushtetuese të Edi Ramës. Çdo qytetar duhet ta dijë, se unë sa herë jam thirrur në prokurori, jam paraqitur gjatë jetës sime. Nuk kam refuzuar kurrë. Por unë, jo në mbrojtje time, por në mbrojtje të të drejtave më elementare të çdo qytetari, nuk mund të pranoj që Edi Rama me një grusht banditësh, që funksionojnë ose si grup i strukturuar kriminal, ose në forma të tjera në organet e drejtësisë, të shkel Kushtetutën”, tha Berisha.
“Ai vendim duhet të shkojë në parlament, se aty e kam qendrën e punësimit se në parti politike nuk vjen dot. Por atje nuk e dërgojnë dot se ai vendim është shkelje flagrante e Kushtetutës”, tha Berisha.
“Unë u them demokratëve dhe qytetarëve se ne qëndrimet e mia nuk ka asnjë gjë personale, përveç mbrojtjes së interesave jetike të tyre, duke mbrojtur Kushtetutën. Kushtetuta ka përcaktimet e veta”, tha Berisha.
“E kam thënë dhe e them, në vitin 2012 unë dërgova ligjin për t’i hequr çdo lloj mbrojtje deputetit. Edi Rama refuzoi në mënyrë kategorike këtë ligj, por u kalua e drejta e hetimit.
Unë që nesër jam i gatshëm të votoj përsëri ligjin që kam dërguar në vitin 2012”, u shpreh Berisha.
/r.e/






















