UASHINGTON, 26 tetor /ATSH-AFP/ – Konservatori Mike Johnson, një mbështetës i vendosur i ish-presidentit Donald Trump, u zgjodh dje në mbrëmje kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve duke i dhënë fund bllokimit trejavor të Kongresit të fuqisë së parë të botës.
Avokati 51-vjeçar dhe aktivist fetar për vlerat tradicionale, i cili mbështeti përpjekjet ligjore për të ndryshuar rezultatet e zgjedhjeve presidenciale 2020, arriti të marrë 220 vota në votim.
Zgjedhja e tij u përshëndet me brohoritje dhe ovacione të vazhdueshme nga anëtarët e partisë së tij politike, Partia Republikane, e cila ka shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, dukshëm të lehtësuar kur panë fundin e votimit.
Sapo u zgjodh, akti i parë i Mike Johnson ishte miratimi i një rezolute që dënonte sulmin e Hamasit ndaj Izraelit.
Ai kishte dërguar më parë një mesazh për pjesën tjetër të botës që pasoi psikodramën e zgjedhjes së kryetarit për javë të tëra.
”Fatkeqësitë të bëjnë më të fortë”, deklaroi ai.
“Le të na dëgjojnë me zë të lartë dhe qartë armiqtë e lirisë në mbarë botën. Shtëpia e Popullit është rikthyer në punë”, vazhdoi ai.
Ai do të duhet të përballet menjëherë me detyra të vështira./ a.jor.






















