Ballina Aktualitet

Macron: Franca ka pezulluar çështjen e vizave për Kosovën

TIRANË, 17 tetor/ATSH/ Presidenti Emmanuel Macron deklaroi sot, nga Tirana se Franca ka pezulluar çështjen e vizave për Kosovën.

Macron i pyetur mbi situatën në veri të Kosovës, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, me Kryeministrin Edi Rama, tha se kjo ka të bëjë me respektin e fjalës së dhënë dhe fjala nuk po mbahet.

“Ajo çka presim nga autoritetet e Kosovës dhe Serbisë është e thjeshtë, riorganizimin e zgjedhjeve në komunat ku zgjedhjet u bënë në kushte të papërshtatshme, pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje dhe në institucione, dhe njohjen e asociacionit të komunave serbe nga autoritetet e Kosovës. Sipas kësaj radhe, plotësisht dhe totalisht. Pres që Vuçiç të jetë përgjegjës, pres të njëjtën gjë nga presidentja dhe kryeministri kosovar. E them me shumë qartësi: ne ju kemi besuar për çështjen e vizave, çështja është pezulluar nga ana e Francës, sepse ka të bëjë me respektin e fjalës së dhënë dhe fjala nuk po mbahet. Pres të angazhohen dy palët që të ecim përpara në javët e ardhshme. Është kushti i paqes në të gjithë zonën”, tha Macron.

Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, që u nënshkrua më 19 prill nga përfaqësuesit e Parlamentit Evropian dhe ata të Këshillit të BE-së, pritej të hynte në fuqi më 1 janar të vitit 2024, moment ky kur qytetarët e Kosovës që posedojnë pasaporta biometrike të lëshuara nga shteti i Kosovës, do të mund të udhëtonin pa viza në atë që njihet si zona Schengen dhe përbëhet prej 27 shtetesh evropiane.

Me botimin më 25 prill në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian, quhej i përmbyllur edhe formalisht i gjithë procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak​Ministri turk i Mbrojtjes: Dialogu është rruga e vetme për paqe e stabilitet në rajon
Artikulli tjetërNënshkruhet marrëveshja, bashkëpunim me Francën në fushën balistike