TIRANË, 10 tetor/ATSH/ 11 shtetas shqiptarë kanë udhëtuar në orët e para të mëngjesit të sotëm nga Izraeli për në Shqipëri përmes një fluturimi të organizuar nga Mali i Zi.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme u shpreh se vijon të shohë të gjitha mundësitë dhe është në kontakt edhe me ministritë e vendeve të tjera të rajonit për t’i ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve që kërkojnë të kthehen në vendet e tyre.
Një prej qytetareve të kthyera nga Izraeli u shpreh se jeton atje prej 29 vitesh, por situata e fundit është shumë e vështirë.
“Me ndihmën e madhe dhe punën e palodhur të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, me ndihmën e ambasadës shqiptare në Izrael, u bë i mundur udhëtimi drejt Shqipërisë”, u shpreh ajo.
“Jemi shumë të mërzitur e të stresuar. Na qan zemra për tragjedinë që ka ndodhur ditët e fundit. Po e lëmë Izraelin me një dhimbje shumë të madhe në zemër. Falënderojmë me zemër ambasadën shqiptare dhe Ministrinë e Jashtme që kanë ndjekur situatën dhe na kanë ndihmuar me çdo gjë”, u shpreh një tjetër shtetase.
“Kam kërkuar ndihmë nga ambasadat e tjera, por ambasada shqiptare në Izrael më ndihmoi shumë”, u shpreh një tjetër.
/m.m/r.e/























