Ballina Aktualitet

Berisha: Policia, përgjegjëse për sigurinë në të gjithë territorin e Kosovës

TIRANË, 28 shtator /ATSH/ Kryetari i grupimit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, Sali Berisha e cilësoi sot si djallëzore kërkesën e Ramës që në komunat e veriut të Kosovës të vendoset KFOR-i.

“Edi Rama kërkoi sot fjalë për fjalë siç kërkoi Beogradi dhe mashtroi shqiptarët dhe publikun se gjoja ka kërkuar Prishtina që komunat e veriut të Kosovës të vendoset KFOR-i. Njësitë ushtarake të KFOR-it si njësi të NATO-s, kanë përgjegjësi ndërkombëtare për garantimin e integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe mbrojtjes së saj”, tha Berisha në një dalje për mediet.

“Qeveria e Kosovës në radhë të parë dhe partnerët ndërkombëtar nuk janë dakord as me padronin e Edi Ramës, Vuçiç dhe argatin e tij në Tiranë. Ata mendojnë dhe besojnë se, përgjegjëse për sigurinë e rendit në të gjithë territorin e Kosovës është Policia. Ajo është linja e parë në garantimin e rendit dhe luftën ndaj kriminalitetit, në të gjithë territorin pa përjashtuar asnjë zonë”, u shpreh Berisha.

Natyrisht, vijoi ai, “në çdo rast ajo bashkëpunon dhe duhet të bashkëpunojë me KFOR-in dhe EULEX-in, sa herë që t’i paraqitet nevoja”.

Por, theksoi Berisha, “kërkesa e Edi Ramës me porosi të Aleksandër Vuçiç që komunat në veri të Kosovës me shumicë serbe të vendosen nën kontrollin e KFOR-it është një kërkesë djallëzore e cila nuk ka qëllim tjetër përveç indirekt për të dalë tek ndarja e Kosovës mes Serbisë dhe Shqipërisë”.

“Këtë projekt Edi Rama për komunat e veriut të Kosovës e mbrojti për vite të tëra me shkëmbim territoresh, por ky projekt ka dështuar, është arkivuar njëherë e mirë. Ndaj dhe dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë qëndrim të Edi Ramës që shkon fund e krye në përputhje me kërkesat e Beogradit”, u shpreh Berisha.

Gjithashtu, Berisha shtoi se, konferenca për Kosovën që kërkon Rama, mbështetet nga ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMete: Italia aleat i madh i Shqipërisë, hapësira të reja për shkëmbimet tregtare dhe bashkëpunimin ekonomik
Artikulli tjetërFOKUS – Kuleba: As Ukraina dhe as Polonia nuk kanë nevojë për këtë luftë gruri