Ballina Bota

KOSOVE – Albin Kurti mbledh Këshillin e Sigurisë

PRISHTINE, 24 shtator /ATSH-AA/ – Është mbledhur në Qeveri Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës pas vrasjes së një zyrtari policor dhe një tjetri të plagosur në veriun e vendit.

Këshilli i Sigurisë së Kosovës udhëhiqet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërsa anëtarë të përhershëm janë edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, ministri për Forcën e Sigurisë së Kosovës, ministri i Punëve të Jashtme, ministri i Punëve të Brendshme, ministri i Drejtësisë, ministri i Ekonomisë dhe Financave dhe ministri për Kthim dhe Komunitete.

Kjo mbledhje po mbahet pas ngjarjes që ndodhi rreth orës 3:00 të mëngjesit në fshatin Bajnskë të Zveçanit, komunë e banuar me shumicë serbe, ku njësia për ndërhyrje të shpejtë e policisë kufitare ka vërejtur se në hyrje të fshatit Bajnskë, në urë ishin vendosur dy mjete të rënda kamion (pa targa) dhe hyrja në këtë fshat përmes urës ishte bllokuar.

Me këtë rast, njësitë e rendit të Stacionit Policor Zveçan, pas pranimit të informacionit i janë përgjigjur rastit dhe janë nisur me tri njësi në drejtim të lokacionit dhe posa mbërritën në afërsi të vendit ku është raportuar bllokada, njësitë policore kanë hasur në rezistencë, ku nga disa pozicione të ndryshme janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe “zollë”, ku si pasojë e gjuajtjeve janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë.

Si pasojë e këtij sulmi një zyrtar policor mbeti i vdekur ndërsa një tjetër u plagos. Polici i plagosur është vizituar mëngjesin e sotëm nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Operacioni i heqjes së predhës nga kraharori i majtë i policit Alban Rashiti është kryer me sukses sot në mëngjes. Predha ishte e një granate dore që e hodhën kriminelët e orkestruar nga Serbia në drejtim të policisë së Kosovës gjatë sulmit të tyre terrorist afër urës në Banjskë të Zveçanit”, theksoi Kurti.

Ai bëri të ditur se gjatë vizitës në Klinikën Kirurgjike të Qendrës Klinike Univeristare të Kosovës (QKUK) është takuar edhe familjen e Albanit e cila erdhi nga Velekinca e Gjilanit.

Kurti tha se polici i plagosur Alban Rashiti do të lirohet sot nga spitali.    /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakJavët Kulturore Ndërkombëtare, Rama: Kina e largët shpaloset me të gjitha ngjyrat e saj
Artikulli tjetërPas 50 vitesh, Anna Magnani mbetet ende një mbretëreshë