TIRANË, 8 shtator /ATSH/ I Ngarkuari me Punë i SHBA në Tiranë, David Wisner, së bashku me zëvendësministren e Arsimit dhe Sportit, Nina Guga, morën pjesë në ceremoninë e ndarjes së certifikatave për mësuesit e gjuhës angleze, njoftoi sot ambasada amerikane në Shqipëri.
Me mbështetjen e ambasadës së SHBA, 250 mësues nga Tirana, Elbasani, Durrësi dhe Kavaja u trajnuan nga një specialist amerikan i gjuhës angleze këtë pranverë për t’u mësuar anglisht nxënësve të vegjël.
Wisner nënvizoi se sa e rëndësishme është anglishtja kur bëhet fjalë për aftësinë e Shqipërisë për të konkurruar globalisht dhe përgëzoi mësuesit për përpjekjet e tyre për të sjellë ndryshim në jetët e nxënësve të tyre.
Pjesëmarrësit në program ndanë përvojat e tyre të trajnimit dhe si ky program i ndihmoi në zhvillimin e aftësive të tyre mësimdhënëse.
/r.e/












