Ballina Flash

I vuri flakën mbeturinave, procedohet roja e subjektit

TIRANË, 11 gusht/ ATSH/ Policia e Kukësit njofton se ka proceduar penalisht një 49 vjeçar, roje e një vend depozitimi të mbetjeve. Procedimi i tij u bë pasi dyshohet se i ka vënë flakën mbeturinave, duke rrezikuar dhe kodrinën në afërsi të fshatit Myç-Mamëz.

“Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Kukës, si dhe bashkëpunimit me Prefektin e qarkut dhe me shërbime të tjera mbështetëse, pas njoftimit të marrë për një rast zjarrvënieve në fshatin Myç-Mamëz, u bë i mundur procedimi penal i autorit të tij.  Për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin P. O., 49 vjeç, banues në fshatin Myç-Mamëz (roja e vend-depozitimit të plehrave, në këtë fshat), pasi dyshohet se ditën e djeshme, iu ka vënë zjarrin disa plehrave, në vend-depozitimin e tyre në fshatin Myç-Mamëz, dhe si pasojë ka shkaktuar ndotje të mjedisit përreth”, njofton Policia.

“Drejtoria Vendore e Policisë Kukës apelon për qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi ky veprim përbën krim dhe ndëshkohet penalisht, si dhe i fton ata që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të tillë, me qëllim ndërhyrjen e menjëhershme për shuarjen e flakëve dhe për procedimin penal të shtetasve përgjegjës”, vijon njoftimi.

Policia e Kukësit njofton po ashtu se ka ndërhyrë dhe në një rast të shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor.

“Specialistët e Qarkullimit Rrugor të Komisariatit të Policisë Tropojë arrestuan në flagrancë shtetasin A. M., 30 vjeç, banues në Bajram Curri, pasi u kap nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi dhe në gjendje të dehur. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Has arrestuan shtetasin J. Sh., 44 vjeç, banues në Krumë, pasi ka kundërshtuar dhe kanosur punonjësit e Policisë të cilët e kanë ndaluar për shkak se 44-vjeçari kryente manovra të rrezikshme, me automjet”, përfundon njoftimi i policisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPeleshi: 12-15 gusht afati i regjistrimit në AFA për aplikantët fitues
Artikulli tjetërShkencëtarët gjejnë mikroplastikë edhe në indet e zemrës së njeriut