TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Presidenti i Republikës, Bajram Begaj priti sot në takimin e lamtumirës, ambasadoren e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Christiane Hohmann.
Gjatë takimit, Presidenti Begaj çmoi rolin e ambasadores Hohmann në detyrën e rëndësishme të përfaqësimit të Delegacionit të BE-së në Tiranë.
Kreu i Shtetit vuri në dukje se Hohmann erdhi në krye të Delegacionit vetëm pak ditë pasi Shqipëria kishte çelur negociatat për anëtarësim me Bashkimin Evropian, një vit më parë.
Për Kreun e Shtetit, anëtarësimi në BE është objektivi strategjik më madhor i Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Në fund të takimit, Presidenti Begaj i uroi suksese Hohmann në karrierën e saj.
/m.m/r.e/






















