Ballina Flash

Shkodër, nis puna për lirimin e hapësirave publike

TIRANË, 26 qershor/ATSH/ Bashkia e Shkodrës ka nisur sot punën për lirimin e hapësirave publike të zëna në shkelje të ligjit.

Në përfundim të afatit 5-ditor të njoftuar, në bulevardin “Skënderbeg” nga sheshi “Nënë Tereza”, deri tek Stacioni i Trenit, hapësirat publike po iu rikthehen qytetarëve.

Bashkia e Shkodrës në një postim në rrjetet sociale thekson se “vlen të nënvizohet bashkëpunimi me qytetarët dhe subjektet e ndryshme, që vullnetarisht kanë liruar dhe po lirojnë hapësirat publike”.

Bashkia Shkodër falënderon për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin duke garantuar se hapësirat publike në të gjithë qytetin do t’i rikthehen qytetarëve, aty ku ato janë zënë në shkelje të ligjit.

Pesë ditë më parë bashkia e Shkodrës i kërkoi  individëve dhe subjekteve private të marrin masa për të liruar hapësirat publike të zëna padrejtësisht. Afati i vënë në dispozicion për kryerjen në mënyrë vullnetare të lirimit të hapësirave ishte dita e sotme, 26 qershor.

Sipas bashkisë do të lirohen nga çdo mjet që pengon përdorimin e hapësirave të përbashkëta, si karrige, goma, blloqe betoni, vazo lulesh apo sende të tjera, të gjitha trotuaret, sheshet publike, mjediset e gjelbra dhe parkimet publike.

/k.s/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGazheli takim me AmCham: Lehtësimi i procedurave doganore në shërbim të biznesit
Artikulli tjetërNikolla: Lirimi i tre policëve, sinjal pozitiv për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi