TIRANË, 23 qershor/ATSH/ Studentët e Fakultetit të Mjekësisë protestuan sot, pasi janë kundër propozimit që pas përfundimit të studimeve të detyrohen të ofrojnë shërbim shëndetësor në vendin e tyre.
Ata protestuan para Fakultetit të Mjekësisë, ndërsa më pas u drejtuan tek Ministria e Arsimit dhe Sportit.
Të veshur me uniformat e bardha dhe me pankarta studentët përsëritën thirrjet kundër punësimit të detyruar në Shqipëri pas përfundimit të studimeve.
Rektori i Fakultetit të Mjekësisë, Arben Gjata në një intervistë televizive tha dje se “për studentët e Mjekësisë është një fazë diskutimi, por nuk ka asnjë draft të përgatitur.
Një nga propozimet që është bërë nga ana e qeverisë ka qenë sigurimi i vendit të punës pas mbarimit të studimeve në sektorin publike shoqëruar kjo me lidhjen e një kontrate për të shërbyer 3 vjet në Shqipëri, duke mos i përjashtuar gjatë kësaj periudhe 3-vjeçare nga marrja e specializimeve”.
Studentët kërkojnë që të ketë zgjidhje efektive dhe jo t’i detyrojë të punojnë në Shqipëri tre vite pas përfundimit të studimeve.
/k.s/r.e/












