TIRANË, 22 qershor /ATSH/ Si pjesë e International Visitor Leadership Program (IVLP) nga Departamenti i Shtetit, gazetari shqiptar Geri Emiri u përzgjodh për të marrë pjesë në programin Edward R. Murrow për media.
Geri u përzgjodh për të qenë pjesë e këtij programi prestigjioz për gazetarët dhe së fundmi vizitoi Uashington DC, ku grupi u fokusua në kërkimin dhe investigimin mediatik, njoftoi sot Ambasada e SHBA në Tiranë.
Programi Murrow IVLP eksploron rolin që luajnë gazetarët në shoqërinë amerikane teksa hetojnë çështje, rrisin ndërgjegjësimin dhe informojnë publikun për korrupsionin, mitmarrjet, shpërdorimin e pushtetit dhe çështje të tjera.
Pjesëmarrësit shikojnë vlerat dhe etikën që qëndrojnë në themel të hetimeve gazetareske dhe ndikimin e gazetarisë investigative në një demokraci.
Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm gazetarinë e pavarur si një element thelbësor të një demokracie të fortë dhe të gjallë.
/r.e/






















