Ballina Flash

​Kjo është letra e Borrellit me kushtet për Kurtin

PRISHTINË, 14 qershor /ATSH/ Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i është përgjigjur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për planin pesë pikësh për uljen e tensioneve në veri.

Borrell ka thënë se një takim i ri në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi nuk mund të organizohet para se Kosova të ndërmarrë hapa për të shtensionuar situatën.

“Siç e dini, unë jam i gatshëm të ftoj një takim të nivelit të lartë me ju dhe presidentin Vuçiq, me parakushtin që ju të jeni i gatshëm të ndërmerrni fillimisht hapat e nevojshëm për shtensionim dhe të hapni rrugë për zgjedhjet e reja”, ka thënë Borrell në letrën e publikuar nga zëdhënësi i BE-së.

Ai ka thënë se nuk mund të ketë përparim në normalizimin e raporteve derisa “ne merremi me menaxhimin e krizave”.

“27 shtetet e BE-së, por edhe SHBA-të, kanë investuar shumë në procesin e normalizimit dhe ne duam të shohim që ky proces lëvizë përpara. Andaj, shtensionimi i situatës nevojitet të ndodhë menjëherë. Nëse jeni i gatshëm të ndërmerrni hapat e nevojshëm, një takim i ri mund të organizohet shpejt”, ka thënë Borrell në letrën drejtuar Kurtit.

Gjithashtu Borrell ka kërkuar që kryetarët e rinj shqiptar në veri të Kosovës të mos punojnë në objektet komunale, si dhe tërheqjen e Policisë së Kosovës nga afërsia e ndërtesave.

Ai ka theksuar nevojën e mbajtjeve të zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore.

“Paralelisht ne po i kërkojmë Serbisë të tërheq elementet radikale nga ato zona”, ka thënë ai./KosovaPress/

 

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – BE-ja dhe Kili nënshkruajnë nisma për hidrogjenin e rinovueshëm
Artikulli tjetërSveçla: Kam urdhëruar të ndalohet hyrja e mauneve nga Serbia