TIRANË, 5 Tetor /ATSH/ – Cristiano Ronaldo nuk është përfshirë në listën e lojtarëve të ftuar për ndeshjet ndaj Polonisë më 11 tetor dhe Skocisë tre ditë më vonë.
Arsye për mos grumbullimin e tij në kombëtare janë akuzat se Ronaldo ka dhunuar një vajzë në vitin 2009, ku edhe pritet të hapen hetime më të detajuara për këtë rast.
Ndonëse Ronaldo e ka mohuar kategorikisht një gjë të tillë, pas një bisede me trajnerin Fernando Santos, ai nuk është ftuar fare në kombëtare.
Trajneri i Portugalisë, ka thënë se beson që Ronaldo është i pafajshëm në këtë rast.
“Personalisht unë gjithmonë u dal në krah lojtarëve të mi dhe në këtë rast nuk ka të bëjë asgjë me solidaritetin, pasi unë besoj se ato çfarë Ronaldo i ka thënë publikisht janë të vërteta dhe se ai është i pafajshëm në lidhje me akuzat që po i bëhen”, ka thënë Santos. “Kam folur me lojtarin dhe presidentin e federatës (Fernando Gomes). Kemi rënë dakord që mos ta ftojmë Ronaldon në këto dy ndeshje si dhe ato të nëntorit”, ka deklaruar trajneri i Portugalisë.
Ronlado kishte munguar edhe në dy sfidat e muajit shtator, pasi kishte kërkuar nga trajneri t’i jepte pushim.
/gj.m/ /a.g/























