HIROSHIMA, 21 maj /ATSH-DPA/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky bëri një paraqitje befasuese në samitin e Grupit të Shtatë (G7) dje në Japoni, i mbështetur nga vendimi i presidentit amerikan, Joe Biden i cili i ofroi Ukrainës avionë luftarakë të avancuar F-16.
Zelensky kaloi pjesën më të madhe të ditës duke u takuar me liderët e G7 dhe duke ngritur kërkesën e tij për më shumë ndihmë pas 15 muajsh beteje kundër pushtimit rus të vendit të tij.
“Japoni. G7. Takime të rëndësishme me partnerët dhe miqtë e Ukrainës. Siguria dhe bashkëpunimi i zgjeruar për fitoren tonë. Paqja do të bëhet më e afërt sot”, shkroi Zelensky në Twitter.
Zelensky është angazhuar në një sërë vizitash diplomatike ditët e fundit, duke përfshirë vizita në Romë, Berlin, Paris dhe Londër.
Udhëheqësi ukrainas pritet të bisedojë sot me Biden, në ditën e tretë dhe të fundit të samitit të G7.
Ai gjithashtu pritet të mbajë një fjalim nga vendi simbolik i sulmit të parë me bombë atomike.
Ndërsa mbetet e paqartë se kush do t’i sigurojë Ukrainës avionë luftarakë, vendimi i Biden për të lejuar eksportin e F-16 të prodhuar nga SHBA-ja në Ukrainë shihet si një nxitje e madhe për Zelensky pas disa muajsh fushate publike.
Njoftimi i Biden erdhi pasi Britania e Madhe dhe Holanda deklaruan të martën synimin e tyre për të ndërtuar një koalicion ndërkombëtar të avionëve luftarakë për të punuar drejt trajnimit të pilotëve ukrainas dhe dërgimit të avionëve.
Burime në zyrën e presidentit francez thanë se Franca shpreson të ndihmojë në trajnimin e pilotëve ukrainas me avionë të avancuar perëndimor dhe tha se po punon me Ukrainën për të kapërcyer pengesat e mundshme gjuhësore duke identifikuar pilotët ukrainas që flasin frëngjisht dhe anglisht për trajnimin.
Zelensky tha se ai falënderoi kryeministrin britanik, Rishi Sunak për udhëheqjen e tij në Hiroshima.
Zelensky u takua gjithashtu me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, presidentin francez, Emmanuel Macron dhe kryeministrin italian, Giorgia Meloni, ndër të tjera.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel i premtoi Zelensky mbështetjen e mëtejshme të BE-së.
Michel i tha Zelensky se BE-ja do të punojë me partnerët e G7 për të synuar çdo shtyllë të ekonomisë ruse për të siguruar dështimin e makinerisë së luftës së Putinit”, sipas zëdhënësit të Michel, Barend Leyts.
Që nga fillimi i luftës, aleatët perëndimorë të Ukrainës kanë vendosur sanksione të paprecedentë kundër Rusisë me qëllim që ta vënë vendin nën presion ekonomik dhe t’i ndërpresin Moskën burimet e të ardhurave për të financuar luftën.
Këto përfshijnë kufizime të gjera tregtare. Në samitin e G7 në Hiroshima, u njoftuan masa të reja ndëshkuese, duke përfshirë kontrollin e eksportit të mallrave që mund të përdoren për qëllime ushtarake dhe ndalimin e diamanteve ruse.
Zelensky gjithashtu u takua për herë të parë me kryeministrin indian, Narendra Modi, i cili iu bashkua samitit të G7 si mysafir. Modi ofroi të ndihmonte për t’i dhënë fund luftës. //a.i/






















