Ballina Flash

Beci: Radhën tani e ka rruga e Dukagjinit

TIRANË, 6 maj/ATSH/- Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Shkodrës, Benet Beci ka publikuar një video në rrjetet sociale teksa shfaqet me motor rrugëve të veriut të vendit ku falë investimeve në infrastrukturë është krijuar një lehtësi e jashtëzakonshme që ka nxitur edhe zhvillimin e mëtejshëm të turizmit zonën e Vermoshit.

Beci bën me dije se rruga nga Hani i Hotit deri në Vermosh ka lidhur këtë zonë edhe me Plavën, Gucinë e deri në Podgoricë.

Ai deklaron se radhën për t’u ndërtuar e ka një tjetër rrugë, rruga e Dukagjinit për të marrë rëndësinë dhe zhvillimin që i takon.

Beci ka zhvilluar një takim për zhvillimin urbanistik dhe infrastrukturën e qytetit dhe gjithë territorit të Bashkisë Shkodër, me arkitektë, inxhinierë, ndërtues e përfaqësues të grupit të interesit.

“Kënaqësi që takimi u zhvillua edhe me pjesëmarrjen e kolegut prej gati 10 vitesh dhe tani edhe mikut, Jesus Hernadez. Ai është arkitekti, me të cilin kam bashkëpunuar prej shumë vitesh për shumë projekte në Shqipëri e në Shkodër, si Marubi, Shiroka dhe një sërë projektesh të tjera që presin të realizohen, si projekti i hyrjes së Shkodrës. Hernandezin e ndiejmë edhe mik të afërt të Shkodrës dhe njohës të mirë të qytetit për kontributin e dhënë ndër vite”, shprehet ai.

Beci thekson se program i tij është ambicioz për infrastrukturën dhe zhvillimin urban të të gjithë qytetit e bashkisë.

“Është një paketë e madhe projektesh transformuese e cila, e di shumë mirë nga përvoja, mund të arrijë të bëhet realitet vetëm me bashkëpunimin e profesionistëve më të mirë. Është e rëndësishme me u përgatitë për një valë të rëndësishme punësh që do kërkojnë matje, studime, projektim e mbikqyrje. Dera e Bashkisë për bashkëpunim do të jetë e hapur. Mungesa e zhvillimit në Shkodër ka pasë shumë të këqija, por të paktën ka pasë të mirën që (deri diku, me gjithë gabimet) nuk janë bërë ndoshta dëme të pariparueshme në pëlhurën urbane, në Shkodër dhe Velipojë. Por tani është koha për një hap tjetër për të vënë në punë këto resurse me një mentalietet të zhvillimit të qëndrueshëm”, u shpreh ai,.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDritan Sula: Mungesë totale e vëmendjes së bashkisë ndaj banorëve në Goriçan
Artikulli tjetër“Me këngë prej Veriu në Jug”, muzikë popullore qytetare tek Festivali “Reja”