TIRANË, 2 maj /ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi ishte e pranishme sot në finalen e konkursit ndërkombëtar të projektimit të stadiumit “Skënderbeu”.
Ministrja tha se, Korça prej vitesh është kthyer në një destinacion turistik të rëndësishëm pikërisht për shkak të këtyre vlerave dhe zhvillimeve dhe transformimeve të mëdha vitet e fundit.
Ajo tha se, ky nuk do të jetë vetëm një stadium, por do të jetë një qendër e re urbane ku do të ketë jetë gjatë 24 orëve dhe çdo ditë të javës.
“Do të jetë një qendër që do të shërbejë si një katalizator për shumë zhvillime, për shumë dinamika në qytet duke integruar edhe jetën sportive kulturore, artistike, edukative, por edhe tregtare”, u shpreh Kushi.
Ajo theksoi se, kjo qendër do t’i japë jo vetëm një zhvillim të madh ekonomisë dhe turizmit të Korçës dhe të gjithë rajonit, por do të nxisë edhe më shumë ekipin e Skënderbeut për të patur rezultate si ato të vitit 2011 deri në 2016-ën ku për 6 vjet ka qenë kampion dhe është i vetmi dhe i pari ekip shqiptar që ka marrë pjesë në ndeshjet e grupeve në një kampionat evropian.
Ministrja u ndal dhe tek investimet në infrastrukturën sportive dhe eventet e rëndëishme që janë organizuar ku në fokus kanë sportin.
Kushi tha se, “përveçse kemi ligjin e ri për sportin, kemi një buxhet të shtuar të sportit, investime të reja në infrastrukturë, ne çdo javë pothuajse kemi ngjarje të rëndësishme, evente të rëndësishme që lidhen me sportin”.
Ajo u shpreh se, “javën e kaluar ne ishin në Manchester ku nënshkruam një marrëveshje të rëndësishme për të sjellë akademinë elitare të futbollit dhe gjithashtu për të sjellë edhe klubin e futbollit për fëmijë në Durrës. Një muaj më parë së bashku me ministrin Peleshi ne organizuam një ceremoni për dhënien e gradave honorifike për sportistët tanë elitarë, për kampionët tanë botërorë dhe evropianë”.
/r.e/






















