Ballina Flash

Së shpejti, hapet pas restaurimit Hamami në Durrës

TIRANË, 16 prill/ATSH/ Në Durrës vijon puna për restaurimin e Hamamit, monument i trashëgimisë kulturore i kategorisë I nga programi EU4Culture .

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ndau në rrjetet sociale pamje nga puna për restaurimin e këtij monumenti dhe si do të jetë ai pas ndërhyrjes.

Ndërhyrjet përfshijnë restaurimin e sipërfaqeve të brendshme, fasadave dhe instalimeve për interpretim digjital.

“Pavarësisht interesit të turistëve për ta vizituar, Hamami i Durrësit ka qëndruar i mbyllur për një kohë të gjatë. Fatmirësisht, ai do të hapet së shpejti për publikun pasi të kenë përfunduar planet e restaurimit dhe rindërtimit, të cilat synojnë ruajtjen e tipareve origjinale”, tha Margariti.

Për shekuj me radhë, hamamet kanë qenë pjesë përbërëse e peizazhit urban të shumë qyteteve shqiptare gjatë sundimit osman.

Hamami i Durrësit, i ndodhur pranë Torres Veneciane, është pjesë e një grupi monumentesh me rëndësi arkeologjike dhe kulturore përgjatë rrugës historike Egnatia.

E ndërtuar në shekullin II para Krishtit, Egnatia ishte pjesë integrale e rrugës tregtare të Perandorisë Romake, që lidhte qytetin antik të Dyrrahut (Durrësi i sotëm) me Kostandinopojën (Stambolli i sotëm).

/k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBegaj: Festa e shenjtë e Pashkës sjell rigjallërimin e jetës
Artikulli tjetërKantina në Kashar, Krifca: Vreshtaria shqiptare nuk resht së befasuari