Ballina Flash

Ndërhyrje emergjente për ruajtjen e kullave në Kosovë

TIRANË, 8 mars/ATSH/ Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit të Kosovës ka njoftuar se, në të gjithë vendin janë duke u kryer restaurime dhe ndërhyrje emergjente në asetet e trashëgimisë kulturore. Së fundmi kanë përfunduar punimet në kullën e Zeqir Hakajt, në Orrobërd të Istogut. Kjo kullë e ndërtuar në shekullin XIX ishte dëmtuar shumë gjatë luftës në Kosovë. Kulla e Zeqir Hakajt deri në vitin 1999 ishte përdorur si shtëpi banimi.

Ndërkohë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku njoftoi në rrjetet sociale se është shpëtuar edhe një tjetër shtëpi tradicionale e Prizrenit.

“Restaurimet tona anembanë vendit nuk kanë të ndalur. Transformimi në trashëgiminë kulturore është i dukshëm”, është shprehur ministri Çeku.

Shtëpia e familjes Lokvica, në Marash, ishte drejt shkatërrimit të plotë. Ndërhyrjet emergjente dhe restauruese ishin të domosdoshme. Tashmë banesa e ndërtuar në shekullin XIX po funksionalizohet. Ndërtesa dykatëshe është prej guri dhe qerpiçi, të sistemit “bondruk”, me trarëza prej druri.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSUEDI – Stoltenberg: Nevojitet urgjentisht rritja e ndihmës për Ukrainën
Artikulli tjetërBredhi i Hotovës në Përmet, oaz me peizazhe të mrekullueshme