Ballina Aktualitet

Veliaj në Kavajë: PS e ka derën e hapur për këdo që dëshiron të bashkohet

TIRANË, 5 mars/ATSH/ Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi një takim me strukturat e kësaj force politike në Kavajë, aty ku në zgjedhjet lokale të 14 majit kandidon Redi Krajli.

Duke theksuar se PS është e vetmja forcë që di të vetëkorrigjohet dhe që e mban derën hapur për këdo që dëshiron t’i bashkohet në misionin e saj për transformimin e Shqipërisë, Veliaj ironizoi edhe opozitën për situatën ku e ka futur veten.

“Kur dëgjoj lloj-lloj justifikimi, pse kundërshtarët tanë janë në atë derexhe ku janë, është tipike e njeriut që gabon dhe e trash zullumin e vet. Thotë: jo po ma bëri Erion Veliaj me ambasadën, jo po Sorosi me Zelenskin,. Këto janë marrëzitë e një njeriu që nuk e kupton se arsyeja pse shkon nga humbja në humbje është se nuk arrin të gjejë gabimet tek vetja”, tha Veliaj.

Ai tha se Partia Socialiste ka një filozofi krejt tjetër, që e bën fituese.

“Arsyeja pse ne, si Parti Socialiste, shkojmë nga një betejë e fituar në një betejë tjetër të fituar, është se kemi arritur të kuptojmë se mund të vetëkorrigjohemi. Asnjë nuk është perfekt, të gjithë bëjmë gabime: ndoshta dikujt duhet t’i flasim me përulësi, t’ia shpjegojmë diçka jo njëherë, po tre herë, dikë tjetër duhet ta pranojmë ashtu siç është, me gjithë paragjykimin që mund të ketë pasur për forcën tonë, por që gjithmonë ka shansin të bashkohet me ne, të jetë pjesë e një skuadre që e mban derën hapur”, u shpreh Veliaj.

Veliaj e qujati tradhëtar të rëndomtë Berishën.

“Një njeri, që i shërbente Millosheviçit, një tradhtar i rëndomtë, që me asprat që merrte për të tradhtuar vendin, i shërbente xhelatit më të madh që njohu Ballkani. Një njeri që vrau njerëz me plumba në mish në Bulevard. Sot është vulëhumbur”, u shpreh ai.

“Shpresoj shumë që në këto zgjedhje, ne të kemi një zgjim kombëtar, për të kuptuar se kush e mban vendin pas, kush na tërheq nga pas xhaketën, kush na përçan, kush ka mbjellë helmin dhe toksinën e përçarjes së veriut me jugut, me ardhurit dhe vendalinjtë. Kush? Ai është vulëhumburi,” shtoi ai.

Në fund, Veliaj bëri edhe një krahasim programesh: “Programi ynë janë çerdhet, kopshtet, shkollat, ujësjellësat, pemët. Po programi i tyre cili është? E dëgjoj Saliun kur vjen në Kavajë dhe thotë: Po e patë kryetarin e Bashkisë, gjuajeni me atë e me këtë. Plaku 80-vjeç, një ligësi e pashoqe, nuk ka asnjë program, ai s’ka asnjë platformë, se ndryshe do të thoshte: ‘Erion Veliaj me Edi Ramën bënë 43 shkolla, ne bëmë aq e kaq me Lulin dhe Ilir Metën’, por nuk e thotë dot se nuk bënë asnjë shkollë në Tiranë, kur e kishin të tre bashkë bashkinë e Tiranës”.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak25 vjet nga Beteja e Prekazit, Begaj: Nderojmë heroin Adem Jashari dhe dëshmorët e lirisë
Artikulli tjetërVihet në qarkullim pulla postare “25-vjetori i Epopesë së UÇK-së”