TIRANË, 24 shkurt/ATSH – I. Vata/ Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim mori pjesë sot në manifestimin e organizuar nga Bashkia e Tiranës në mbështetje të Ukrainës, me rastin e 1-vjetorit të agresionit rus ndaj Ukrainës.
Në fjalën e saj, ambasadorja Kim tha se, “vetëm pak ditë më parë presidenti Joe Biden shkoi në Kiev dhe nuk duhet të ketë asnjë dyshim ku qëndrojnë Shtetet e Bashkuara dhe çfarë besojnë Shtetet e Bashkuara”.
“Ne qëndrojmë me Ukrainën, me kombin e Ukrainës, me popullin e Ukrainës. Ne qëndrojmë me ta sëbashku. Sikurse liria, sovranitet i shenjtë i kombeve, e drejta e kombeve për të ekzistuar. Nuk duhet të ketë dyshim që ne do të jemi me popullin e Ukrainës. Ne do të qëndrojmë për këto parime për sa kohë të nevojitet”, tha Kim.
Po ashtu, Kim theksoi se, “presidenti Joe Biden i kujtoi botës që Putini e kishte tërësisht gabim përpjekjen e tij për t’i imponuar vullnetin e tij kundër Ukrainës”.
“Putini mendonte se Ukraina ishte e dobët. E kishte gabim, pra ai gjeti kombin më të fortë të mundshëm. Ai mendonte se Perëndimi ishte i përçarë, e kishte gabim. Perëndimi është bashkuar si kurrë më parë. NATO, BE, të gjithë ne, besojmë në liri. Ai mendoi se mund të qëndronte më gjatë se ne, e kishte gabim. Populli i Ukrainës ka mundur t’ia dalë mbanë mes një viti të tmerrshëm, pavarësisht të gjithë sfidave. Ne jemi krenarë si miqtë e tyre të qëndrojmë me ta”, tha Kim.
“Posteri përpara nesh thotë “Tirana qëndron me Ukrainën”, por realiteti është se nuk është vetëm Tirana që është me Ukrainën, por është Shqipëria që qëndron me Ukrainën. Por nuk është vetëm Shqipëria që qëndron me Ukrainë, por janë Shtete e Bashkuara që qëndrojnë me Ukrainën dhe nuk janë vetëm SHBA që qëndrojnë me Ukrainën, por është e gjithë bota mbarë që qëndron me Ukrainën”, theksoi Kim.
“Bota e di dhe ne e kemi parë raporte tronditëse të torturave, dhunës seksuale, rrëmbimeve, vrasjet në masë nga Kremlini. Nuk do të harrojmë vende si Bucha, Kharkiv e Mariupoli, kemi parë raporte tronditëse të torturave, dhunës seskuale, rrëmbimeve, kampeve dhe vrasjet në masë nga Kremlimi, do të sigurohemi që të qëndrojmë së bashku e të sigurojmë liri e drejtësi”, tha Kim.
/gj.m/r.e/





















