Ballina Aktualitet

Caka: Rritja e çmimit të patentave, babëzi korruptive

TIRANË, 22 shkurt/ATSH/ Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, Silva Caka reagoi sot pas dyfishimit të çmimit të patentave.

“Qindra qytetarë, të cilët kanë nevojë të pajisen me patenta për drejtimin e automjeteve, që u shërbejnë atyre si një mundësi për të shkuar në punë e për të përmbushur detyrimet ndaj familjes, u është rritur në mënyrë skandaloze çmimi i patentave, i cili nga 400 mijë lekë të vjetra, dyfishohet e shkon në 850 mijë lekë të vjetra”, tha ajo.

Caka tha se “në situatën shumë të rëndë të transportit publik, i cili paraqet një nivel primitiv, si një shërbim që nuk u ofron asgjë qytetarëve, automjetet private janë mundësia e vetme për mijëra qytetarë të Tiranës e gjithë Shqipërisë, që të plotësojnë nevojat e jetesës së tyre”.

“Babëzia korruptive nuk kurseu as këtë mundësi, e cila po përballohet nga vetë qytetarët e në vend që shteti t’ua lehtësonte barrën, përkundrazi, u dyfishon çmimet. I bëjmë thirrje Qeverisë të heqë dorë menjëherë nga kjo rritje skandaloze dhe korruptive dhe në vend që të mendojë se si t’ua rëndojë më shumë jetën qytetarëve, të marrë masa për lehtësimin e tyre”, tha ajo.

Caka i bëri po ashtu thirrje Prokurorisë që të hetojë menjëherë mbi këto veprime korruptive, që bien në kurrizin e mijëra qytetarëve dhe të çojë përgjegjësit përpara drejtësisë.

/m.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRindërtimi, 133 njësi individuale banimi i kalojnë bashkive Durrës e Kamzë
Artikulli tjetërDe Sanctis takon kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Zaçaj