TIRANË, 15 shkurt/ATSH/ Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, deklaroi sot se “progresraporti mbi Energjinë e Rinovueshme i dorëzuar nga qeveria në EUROSTAT pohon dështimin e thellë në sektorin energjetik, veçanërisht në rritjen e kapaciteteve prodhuese të energjisë nga burimet e rinovueshme dhe të skemës mbështetëse për promovimin e gjenerimit të energjisë fotovoltaike”.
Në një dalje për mediet, Meta tha se “sipas këtij raporti të hartuar nga vetë Ministria e Insfrastrukturës dhe Energjisë, pranohet dështimi i thellë në prodhimin e kulturave bujqësore të dedikuara për prodhimin e energjisë, ndërkohë që jepet zero informacion për energjinë e prodhuar nga mbetjet urbane të biodegradueshme”.
Meta u shpreh se “rezulton se qeveria rezulton nuk ka përmbushur asnjë detyrë sipas Planit të Konsoliduar të Veprimit për Burimet e Rinovueshme të Energjisë ku përgjatë viteve 2019-2020 do të instaloheshin centrale me kapacitete të instaluara prej 490 MGW nga energjia e prodhuar nga burimet e rinovueshme fotovoltaike”.
“Rikujtoj se Partia e Lirisë, në mbështetje të kërkesave të klientëve privatë dhe familjarë, prej kohësh ka depozituar në Kuvend projektligjin “Për Sektorin e Energjisë Elektrike”, ku ndër të tjera propozon: “Që për vetëprodhuesit, ndërtimi i kapaciteteve të energjisë nga burimet e rinovueshme deri në 2 MGW që prodhojnë energji elektrike nga dielli, miratohen nga Operatori i Shpërndarjes””, nënvizoi Meta, duke shtuar se beson se ky është interes i qytetarëve, i konsumatorëve, i sipërmarrësve por është dhe një interes publik.
“Është e qartë se qeveria ka interes vetëm që korrupsioni të vazhdojë dhe qytetarët të grabiten, veçanërisht në kushtet kur për dy termocentralet lundruese, që u morën me qira dyvjeçare për të mbuluar kërkesën për energji elektrike në këtë periudhë krize, nga shtatori i vitit të kaluar dhe deri në shkurt 2023 janë shpenzuar rreth 15 milionë euro për qira dhe mirëmbajtje ndërkohë nuk është prodhuar as edhe 1 megavat-orë energji”, tha Meta.
Meta përfundoi duke thënë se revolta popullore, ka shpërthyer më e vendosur se kurrë dhe ajo nuk do të ndalet deri në largimin përfundimtar të Edi Ramës.
/k.s/r.e/






















