TIRANË, 8 shkurt /ATSH – I. Vata/ Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve emëroi sot anëtarët e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor, të propozuar nga partitë politike “Partia e Lirisë”, “Partia Socialiste e Shqipërisë” dhe “Partia Socialdemokrate e Shqipërisë”, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore.
Në seancën e sotme publike u miratua kërkesa e Koalicionit për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara për vëzhgimin e zgjedhjeve, për organet e qeverisjes vendore, si edhe u caktuan njësitë administrative ku do të krijohen selitë e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor, për zgjedhjet e datës 14 maj.
Gjithashtu, Komisioneri përfundoi hetimin administrativ për shkelje të konstatuara për raportimin e veprimtarive publike për periudhën 20 Janar- 23 Janar 2023.
Komisioneri vendosi pushimin e procedimit administrative ndaj: Ministrisë së Kulturës,Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Ministrisë së Drejtësisë, Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike, Autoritetit të Mediave Audiovizive, Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Prefektit të Qarkut Korçë, bashkisë Librazhd, bashkisë Lushnjë, bashkisë Roskovec, bashkisë Tiranë, bashkisë Cërrik, bashkisë Dimal dhe bashkisë Elbasan.
Komisioneri vendosi sanksionin administrative ndaj personit përgjegjës për raportim në bashkinë Durrës dhe bashkinë Berat.
Në seancën e sotme vijoi hetimi administrativ për shkelje të konstatuara për raportimin e veprimtarive me karakter publik të institucioneve publike, qendrore dhe vendore si dhe agjencive dhe/ose ndërmarrjeve shtetërore, për periudhën 24 janar – 2 shkurt 2023. Në përfundim të vlerësimit do të konkludohet me vendimmarrje nga ana e Komisionerit.
Sot u shqyrtua edhe rezultati i verifikimit të thelluar të Prokurorit të Përgjithshëm për subjektin vetëdeklarues Arbër Idriz Arifaj, kandidat për deputet i propozuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim, qarku Kukës, në zbatim të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve vendosi të deklarojë të përfunduar procedurën administrative pa vendim përfundimtar për subjektin Arbër Arifaj, pasi vlerësohet se ka humbur objekti dhe qëllimi i procedurës administrative të filluar para datës së zgjedhjeve.
/gj.m/























