Ballina Flash

Miratohet vendimi për autonominë spitalore

TIRANË, 8 shkurt /ATSH/ Këshilli i Ministrave ka miratuar sot një akt të rëndësishëm nënligjor, në zbatim të ligjit për kujdesin spitalor në Republikën e Shqipërisë, pikërisht vendimin për miratimin e autonomisë spitalore.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në një dalje për medie tha se, “siç tashmë e dimë, ligji i ri i miratuar në 2022 për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë parashikon ndër modelet e organizimit të spitaleve në vendin tonë edhe modelin e autonomisë spitalore. Një model i cili do t’i hapi rrugën padyshim një përmirësimi të shërbimit spitalor në vend”.

Ajo shtoi se, “ky vendim do të përmirësojë eficiencën e burimeve njerëzore, burimeve financiare, gjithashtu edhe miradministrimin e të gjithë strukturës organizative, por edhe aspekteve të shërbimit mjekësor në spitale, të cilët do ta përfitojnë autonominë”.

“Ky vendim përcakton rregulloren, kriteret specifike te spitaleve të cilat do ta përfitojnë autonominë spitalore në të dy modelet e saj, i pari është autonomia menaxheriale, më pas autonomia financiare”, u shpreh ministrja.

Manastirliu tha se, “vendimi përcakton në bazë të rregullores të gjithë fushëveprimin dhe të gjithë ato elementë që përcakton secila prej kartave të autonomisë, ku gjithashtu përcaktohen dhe organet drejtuese dhe organizative të këtyre spitaleve që do e përfitojnë këtë autonomi”.

/gj.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakZgjedhjet vendore, caktohen selitë e KZAZ-ve
Artikulli tjetërFinancohen projektet e reja kulturore në komunat arbëreshe