Ballina Flash

Ekspozita e Alban Bujarit risjell dëshmitë e masakrës së Hasit

TIRANË, 2 shkurt/ATSH/ Në Muzeun Kombëtar të Kosovës u çel ekspozita fotografike e fotoreporterit Alban Bujari. Ekspozita me titull “Erë gjaku”, risjell dëshmitë e masakrës në Rugovë të Hasit.

“Fotografitë ndihmojnë në formimin e të kuptuarit tonë për kulturën, historinë dhe identitetin. Është me rëndësi dokumentimi i kësaj historie, i Reçakut, Prekazit etj.”, thotë autori i ekspozitës.

Si një mjet dokumentimi i saktë dhe objektiv, fotografia është përdorur edhe nga Alban Bujari, në arkivin e të cilit ndodhen imazhe të panumërta që i përkasin periudhës së luftës në Kosovë (1997-1999).

Për të “fotografitë e luftës” nënkuptojnë më shumë sesa thjesht imazhe. Përmes tyre tregohet dhimbja e madhe e luftës dhe ajo çka bëri regjimi serb.

Fotografitë e bëra më 29 janar të vitit 1999, do të qëndrojnë të ekspozuara për dy javë. Të renditura në ekspozitën “Erë gjaku”, 28 fotografitë përkujtojnë 21 persona të vrarë nga forcat serbe, përfshirë luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe civilë të fshatit.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, premton se do të vazhdojë përkrahjen e projekteve të tilla në mënyrë që e vërteta e Kosovës të tregohet me zë edhe më të fuqishëm. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKrifca me ambasadoren greke: Forcim i bashkëpunimit në fushën e bujqësisë
Artikulli tjetërAlibeaj: Rama ka detyrim ligjor të paraqitet në interpelancë