Ballina Aktualitet

Kim: Marrëdhëniet midis qeverive tona më të forta se kurrë

TIRANË, 19 janar/ATSH – I. Vata/ -Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim foli sot në një intervistë për Report TV, për marrëdhëniet Shqipëri-SHBA.

Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim deklaroi se, marrëdhëniet Shqipëri-SHBA janë më të forta se kurrë.

“Marrëdhënia midis dy qeverive është shumë e fortë dhe pjesë e asaj marrëdhënieje është një marrëdhënie midis kreut të qeverisë dhe ambasadores amerikane. Dhe, përsëris, dua t’iu kërkoj njerëzve t’i largohen të vështruarit të këtyre marrëdhënieve si personale. Nuk janë marrëdhënie personale. Janë marrëdhënie zyrtare”, theksoi Kim.

Ambasadorja e SHBA nënvizoi se, “ajo që mund t’ju them është se kur kryeministri dhe unë diskutojmë një çështje që është me rëndësi për Shtetet e Bashkuara dhe Shqipërinë, i realizojmë gjërat. Nuk mund të kërkonim partner më të mirë, qoftë në Këshillin e Sigurimit, në NATO, për çështje kritike”.

Për shembull, shtoi Kim, “vendimi i Shqipërisë për të qenë vendi i parë që doli vullnetar për të marrë afganët që po iu iknin talebanëve, për t’iu dhënë një strehë të sigurt, për pak muaj, rrugës për në Shtetet e Bashkuara, për një jetë të re. Është diçka shumë e respektueshme që bëri ky vend”, tha Kim.

Kim tha se marrëdhënia mes SHBA dhe Shqipërisë në 100 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike është në momentin më të mirë.

Ajo deklaroi se investimet direkte nga SHBA janë 2-fishuar krahasuar me 2019.

“Deri në shtator 2022, investimet e huaja direkte nga SHBA janë 213 milionë dollarë – thuajse dy herë më shumë se sa ishte në 2019-ën, pikërisht para pandemisë. Investimet e SHBA në shëndetësi, shërbime financiare, energji dhe teknologji të informacionit e turizëm po rriten; kemi kompani si kurrë më parë këtu, sidomos në sektorin IT dhe po marrin gjithnjë e më shumë njerëz në punë e po trajnojnë gjithnjë e më shumë. Kemi edhe një njëbrirësh këtu – IntelyCare. Tregtia u dyfishua, dyfish midis 2019 nga 139 milionë në 235 milionë dollarë. Eksportet shqiptare për në SHBA thuajse u trefishuan nga viti 2019, nga 53 milionë në 137 milionë. Ka erëza, bimë mjekësore, në fakt mendoj se 70% e sherebelës që importohet në SHBA vjen nga Shqipëria. Por sot importojmë nga Shqipëria edhe produkte alumini, përfshi pjesë makinash. Dhe ky është lajm i madh”, tha Kim.

“Mendoj se në Shqipëri, një nga gjërat që njerëzit e kanë të lehtë t’i besojnë janë lajmet e këqija, por shumë të vështirë të besojnë lajmet e mira. Ndaj, erdha e armatosur me disa fakte, për t’ju treguar që s’po i sajoj. Këto janë faktet. Ekonomia, tregtia e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara, biznesi me Shtetet e Bashkuara, po arrin më lart se kurrë në majë”, theksoi Kim.

/gj.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBalluku: Po punohet për hapjen e aksit rrugor Bogë-Theth
Artikulli tjetërRama: E rëndësishme të kemi një shtet të ngjashëm me BE-në