Ballina Lajme nga Vendi

Austria, mbështetje për shkollat e Sarandës

TIRANË, 26 shtator/ATSH/ – Ambasadori i Austrisë në Tiranë, Johann Sittle, u prit sot gjatë një takimi nga kryetarja e bashkisë së Sarandës, Florjana Koka, e cila e falënderoi për mbështetjen ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe posaçërisht për ata që preferojnë arsimin profesional në qytetin e Sarandës.

Gjatë takimit, në të cilin ambasadori Sittle shoqërohej edhe nga prof. Arben Malaj, Konsull Nderi i Austrisë në Tiranë, kryetarja e bashkisë Koka u ndal në momentin e ndërtimit të rrugës së Bregdetit nga austriakët njëqind vite më parë, ndërsa vlerësoi faktin që po austriakët kanë qenë mbështetësit edhe për arsimin shqip, me hapjen e 200 shkollave shqipe në Shqipëri në fillimin e shekullit të kaluar, ndërsa në kushtet e sotme mbështetja është programore dhe infrastrukturore për Sarandën.

Ambasadori Satlle, duke falënderuar për pritjen dhe shprehjen e konsideratave, ka përgëzuar për rritjen turistike të Sarandës dhe për standardin e shërbimeve që gjen turisti i huaj, megjithëse turistët austriakë, sipas tij, preferojnë më shumë turizmin e Alpeve dhe jo të detit.

I shoqëruar nga kryebashkiakja Koka e stafi i saj i ngushtë, ambasadori Sutlle ka marrë pjesë në inaugurimin e terreneve te reja sportive në konviktin shkollor të nxënësve të shkollës së mesme profesionale “Antoni Athanas”.

Atje u pritën nga drejtorja e këtij konvikti, Vasilika Papa dhe stafi, që janë kujdesur t’i japin tërësisht një imazh dhe arredim krejt të ri hapësirës së jashtme të konviktit.

Sattle, Koka dhe Malaj prenë shiritin e këtij investimi të bërë për ushtrimin e sporteve në mjediset e pasme të konviktit shkollor.

Në përshëndetjet e rastit që u bënë pas prerjes së shiritit, u tha se “krijimi i terreneve të reja sportive pranë këtij konvikti, është një investim i qeverisë shqiptare, që iu shtua këtij institucioni në këtë nisje të vitit të ri shkollor 2018-2019”.

Mbi të gjitha, u vlerësua ndërhyrja shumëvjeçare në këto mjedise banimi nga projekti austriak Kulture Kontakt dhe së fundmi projekti Al-Tour.

Me interes të veçantë, vizita e ambasadorit Sattle, e Kryebashkiakes Koka dhe Konsullit të Nderit të Austrisë, Malaj, ka vazhduar në shkollën “Antoni Athanas”, ku janë pritur nga drejtorja Katina Gjoni dhe stafi mësimdhënës.

Vizita ka nisur nga recepsioni i kësaj shkolle, që është arreduar si një recepsion i një strukture të shërbimit turistik.

Në sallën e mësuesve, të pranishmit kanë ndjekur një prezantim të profilit, arritjeve dhe të sfidave të kësaj shkolle të arsimit të mesëm profesional, duke promovuar në mënyrë të veçantë modernizimin e kurrikulës dhe programeve, ashtu edhe mbështetjen e dhënë nga Bashkia Sarandë dhe donatorët austriakë, për të patur pajisje bashkëkohore e për të mundësuar që të funksionojë si një shkollë që ka të pandarë nga mësimi teorik edhe zbatimin praktik.

Të ftuarit kanë vizituar këto mjedise, ku realizohen me fantazi produkte kulinarie dhe kanë shijuar receta të përgatitura enkas për ata./k.s/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakOKB – May: Nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme
Artikulli tjetërSPANJË – Ministrja e Drejtësisë nuk pranon të japë dorëheqjen