TIRANË, 6 janar/ATSH/ Autoriteti Rrugor Shqiptar informoi se ka nisur puna nga kompanitë kontraktore për shpërndarjen e kripës, për të evituar ngricat në akset rrugore në verilindje dhe juglindje të vendit.
“Në Valbonë, Bogë-Theth, Hani i Hotit-Tamarë-Vermosh, Korçë-Voskopojë gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit është bërë shpërndarja e kripës për të evituar ngricat”, bëri të ditur ARRSH-ja.
Sipas ARRSH-së, qarkullimi kryhet pa probleme në të gjitha akset nacionale. Po ashtu, ARRSH apelon drejtuesit e mjeteve për të respektuar sinjalistikën rrugore.
Nga buxheti i shtetit, gjatë vitit 2023 ARRSH-së iu akordua fond prej 7.75 miliardë lekësh nga financimi i brendshëm.
Sipas buxhetit, ndërtimi dhe sistemimi i rrugëve është buxhetuar në vlerën 4.8 miliardë lekë. Studimi dhe projektimi është buxhetuar në vlerën 125 milionë lekë. Për sinjalistikën dhe sigurinë rrugore është buxhetuar një fond në vlerën 55 milionë lekë, ndërsa fondi i emergjencës është buxhetuar në vlerën 92 milionë lekë.
/j.p/r.e/























