Ballina Aktualitet

Shqipëria merr kryesimin e Procesit të Berlinit

TIRANË, 4 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale një fotoalbum nga Samiti i Procesit të Berlinit mbajtur një ditë më parë në Berlin.

Rama shprehet se nga Kancelaria, Shqipëria mori kryesimin e Procesit të Berlinit dhe organizimi në Tiranë të samitit të ardhshëm.

Samiti u drejtua nga kancelari federal Olaf Scholz, me pjesëmarrjen e drejtuesve të qeverive dhe kryetarëve të shteteve nga Ballkani Perëndimor, përfaqësues të vendeve pjesëmarrëse të BE-së, si dhe institucioneve financiare ndërkombëtare dhe organizatave rajonale.

Axhenda e Samitit kishte në fokus të veçantë sigurinë energjetike dhe tranzicionin e gjelbër si dhe angazhimin e rajonit për të përshpejtuar zbatimin e Axhendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.

Gjithashtu, u trajtuan iniciativat për të rritur zhvillimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, të shpallur në kuadër të Procesit të Berlinit në nëntor 2020.

Në Samitin e Procesit të Berlinit 2022 u nënshkruan tre marrëveshje rajonale mes vendeve të Ballkanit Perëndimor; Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut; Malit të Zi, Bosnjë dhe Hercegovina, si dhe Serbisë.

Në Berlin u nënshkrua marrëveshja mbi lëvizjen e lirë me karta identiteti në Ballkanin Perëndimor, njohja e diplomave të Arsimit të Lartë si dhe marrëveshja për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve, arkitektëve në kontekstin e marrëveshjes për tregtinë e lirë në Europën Qendrore, – të cilat do t’i shërbejnë forcimit dhe thellimit të bashkëpunimit rajonal.

Procesi i Berlinit u krijua në 2014 si platformë për vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) për të përshpejtuar përafrimin më të ngushtë me BE-në dhe për të thelluar integrimin dhe bashkëpunimin rajonal, si faktor kyç për zhvillimin ekonomik dhe paqen në Ballkanin Perëndimor.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMinisteriali BE-Ballkani Perëndimor, Manja: Bashkëpunim për sfidat e drejtësisë
Artikulli tjetërPEKIN- Scholz: Takimi me Xi si pasojë e tensioneve të mëdha