TIRANË, 3 nëntor /ATSH/ Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve në seancën e sotme të KQZ shqyrtoi kërkesën e Komitetit Përfaqësues të Nismës Ligjvënëse të Zgjedhësve për regjistrimin e nismës ligjvënëse të zgjedhësve për disa shtesa dhe ndryshime në Kodin Zgjedhor.
Më herët Komiteti Përfaqësues është pajisur me fletë tip për mbledhjen e nënshkrimeve, të cilat janë depozituar në KQZ.
Në përfundim të shqyrtimit, Komisioneri vendosi regjistrimin e nismës ligjvënëse të zgjedhësve “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”.
Gjithashtu, Komisioneri vendosi plotësimin e vakancave në këshillin e bashkisë Elbasan, me kandidatin nga lista shumemërore e Partisë Socialiste të Shqipërisë, Areta Mehmet Kumria, këshillin e bashkisë Devoll, me kandidatin nga lista shumemërore e Partisë së Gjelbër, Kevin Agron Baçi, këshillin e bashkisë Fier, me kandidatin nga lista shumemërore e Partisë Demokracia Sociale, Rezarta Gëzim Duro.
Sa i përket çështjeve të mbartura nga seanca e kaluar, Komisioneri vendosi miratimin e udhëzimit për përcaktimin e kritereve për përzgjedhjen e monitoruesve në zgjedhje procedurën e emërimit të tyre.
Vendimmarrja për raportin e raportit të gjetjeve nga auditimi i fondeve të përfituara dhe shpenzuara nga partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, të datës 25 prill 2021, u shty nga Komisioneri pas paraqitjes së disa gjetjeve shtesë nga ana e KRIK.
Komisioneri vendosi që gjetjet e KRIK t’u përcillen partive politike për të dhënë shpjegime.
Gjithashtu u pranua kërkesa e Partisë Demokratike të Shqipërisë për të shtyrë seancën për arsye objektive të përfaqësuesit të saj në KQZ.
/j.p/r.e/






















