Agjencia Telegrafike Shqiptare

Plotësohen vakancat në 3 këshilla bashkiakë

TIRANË, 3 nëntor /ATSH/ Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve në seancën e sotme të KQZ shqyrtoi kërkesën e Komitetit Përfaqësues të Nismës Ligjvënëse të Zgjedhësve për regjistrimin e nismës ligjvënëse të zgjedhësve për disa shtesa dhe ndryshime në Kodin Zgjedhor.

Më herët Komiteti Përfaqësues është pajisur me fletë tip për mbledhjen e nënshkrimeve, të cilat janë depozituar në KQZ.

Në përfundim të shqyrtimit, Komisioneri vendosi regjistrimin e nismës ligjvënëse të zgjedhësve “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”.

Gjithashtu, Komisioneri vendosi plotësimin e vakancave në këshillin e bashkisë Elbasan, me kandidatin nga lista shumemërore e Partisë Socialiste të Shqipërisë, Areta Mehmet Kumria, këshillin e bashkisë Devoll, me kandidatin nga lista shumemërore e Partisë së Gjelbër, Kevin Agron Baçi, këshillin e bashkisë Fier, me kandidatin nga lista shumemërore e Partisë Demokracia Sociale, Rezarta Gëzim Duro.

Sa i përket çështjeve të mbartura nga seanca e kaluar, Komisioneri vendosi miratimin e udhëzimit për përcaktimin e kritereve për përzgjedhjen e monitoruesve në zgjedhje procedurën e emërimit të tyre.

Vendimmarrja për raportin e raportit të gjetjeve nga auditimi i fondeve të përfituara dhe shpenzuara nga partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, të datës 25 prill 2021, u shty nga Komisioneri pas paraqitjes së disa gjetjeve shtesë nga ana e KRIK.

Komisioneri vendosi që gjetjet e KRIK t’u përcillen partive politike për të dhënë shpjegime.

Gjithashtu u pranua kërkesa e Partisë Demokratike të Shqipërisë për të shtyrë seancën për arsye objektive të përfaqësuesit të saj në KQZ.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version