Ballina Ekonomi

ISHMT, inspektime për ashensorët e sigurinë e produkteve

TIRANË, 3 nëntor/ATSH/ Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT) ushtroi gjatë muajit tetor një sërë inspektimesh, me qëllim verifikimin e zbatimit të kërkesave ligjore nga subjektet për ofrimin e produkteve, pajisjeve të sigurta për konsumatorin, si dhe për respektimin e të drejtave të pronësisë intelektuale.

Sipas ISHMT-së, janë kryer gati 200 inspektime dhe një numër i lartë monitorimesh në treg, ku fokus ishte siguria e ashensorëve në përdorim dhe vlerësimi i konformitetit të tyre në përputhje me kërkesat ligjore.

Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 643, 2.10.2019 “Për sigurinë e ashensorëve në përdorim” përcakton se çdo ashensor duhet të regjistrohet dhe t’i nënshtrohet kontrollit teknik nga një trupë e autorizuar.

ISHMT risjell në vëmendjen e administratorëve, por edhe banorëve të pallateve se, asnjë ashensor nuk duhet të jetë në përdorim, nëse nuk është certifikuar nga një trupë e akredituar dhe nuk është regjistruar pranë ISHMT-së.

Po ashtu, në fokus ishin edhe mbikëqyrja e tregut për parapaketimet, instrumentet matëse, sigurinë e produkteve elektrike dhe artikujt për fëmijë.

Gjithashtu, ISHMT informoi se janë inspektuar rreth 450 subjekte për zbatimin e ndalimit të qeseve plastike më të holla se 70 mikron.

ISHMT bën të ditur se prioritet është rritja e ndërgjegjësimit të operatorëve ekonomikë mbi kriteret ligjore që duhet të zbatojnë në fushën e sigurisë së produkteve joushqimore dhe pronësisë intelektuale dhe të konsumatorëve mbi të drejtat e tyre.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNorma e interesit të depozitave në lekë u rrit me 1.45%
Artikulli tjetërTURQI – Gjashtë anije me grurë janë larguar nga Ukraina që kur Rusia iu ribashkua marrëveshjes