Ballina Aktualitet

Rama: Nga janari, kurse kodimi dhe programimi në shkollat e të gjitha bashkive

TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me të rinjtë në Mat, tha se nga janari apo shkurti i vitit 2023 në të gjitha bashkitë do të ketë pasdite në shkolla të caktuara kurse për programim, kodim, teknologji, për artet, zejet dhe aktivitete sportive.

Rama bëri të ditur se, janë ngritur skuadrat në të gjitha shkollat, basketboll, volejboll, meshkuj, femra dhe do zhvillohen aktivitete pasi të bëhet gjithë pajisja me uniforma, me materialet e nevojshme për të qenë tamam skuadra, si dhe do zhvillohen kampionate në tre nivele: bashkie, qarku e pastaj kombëtar. Për të stimuluar lëvizje sportive shkollore nuk është qëllimi të bëhen të gjithë sportistë, por të stimulohet aktiviteti fizik dhe ajo ndjenjë e fortë skuadre dhe përkatësie që sporti e stimulon si asgjë tjetër, edhe për ata që nuk e luajnë, por që e ndjekin.

Kryeministri u shpreh se aktivizimi i të rinjve është i dyanshëm dhe mbi të gjitha kjo lidhet edhe me një kohë të ngatërruar, siç është koha që jetojmë sot jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë botën.

“Këtë problem e kanë të gjithë broçkullat digjitale që e kanë larguar njeriun dhe në radhë të parë të vegjlit, pasi ata janë edhe më të shkathët. Ky është një problem i madh për të gjithë, jo vetëm për ne. Ajo që ne kemi shumë të qartë që duhet bërë është të rrisim sa më shumë mundësitë dhe pritja e mundësive ka të bëjë me domosdoshmërinë e krijimit të hapësirave të reja, që nga hapësira për teknologjinë që po zgjerohen dhe do vazhdojnë të zgjerohen vit pas vit në mënyrë të ndjeshme”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë foli edhe për punësimin e të rinjve.

“Përtej shkollës është e rëndësishme që sa më shumë të rinj të informohen për t’u punësuar kudo jo në Shqipëri, por kudo në botë pa lëvizur nga shtëpia dhe për të marrë paga më të larta se kryetari i bashkisë apo e ministrit”, tha Rama.

Sot që flasim, vijoi Rama, në Shqipëri, kemi të rinj që janë të punësuar në tregun global online dhe marrin paga shumë të mira.

“Ju mund të punësoheni kudo dhe nuk keni nevojë të lëvizni nga shtëpia, mjafton një kompjuter, një lidhje interneti dhe je në tregun global, ofron dijet e tua për lloj-lloj kompanish e shërbimesh, sepse e krijon teknologjia këtë mundësi”, tha Rama.

/k.s/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – Lideri çeçen pranon humbjet e rënda në Ukrainë
Artikulli tjetërEdicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar të Dancit Bashkëkohor në Tiranë