Ballina Bota

MEDIA – AMAN: Luftë e përbashkët kundër dezinformimit

ZAGREB, 13 tetor /ATSH-HINA/ – Agjencia kroate e lajmeve, HINA mori kryesimin njëvjeçar të Aleancës së Agjencive Mesdhetare të Lajmeve, ku ATSH është anëtare me të drejta të plota.

Në Asamblenë e Përgjithshme të 30-të të AMAN-it mbajtur në Dubrovnik, ku ishin të pranishme drejtoresha e Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Valbona Zhupa si edhe drejtoresha e Lajmeve dhe Multimedias, Almarina Gegvataj, u miratua një deklaratë që detyron agjencitë të rrisin prodhimin e përmbajtjes mbi qëndrueshmërinë dhe një luftë e përbashkët kundër dezinformimit.

HINA mori kryesimin e AMAN-it nga agjencia algjeriane e lajmeve APS, ndërkohë që George Penintaex i CNA-së u riemërua sekretar i përgjithshëm i AMAN për tre vjet të tjerë.

Deklarata e miratuar i detyron agjencitë e lajmeve AMAN-it të rrisin raportimin për zhvillimin e qëndrueshëm, me fokus në Mesdhe.

”Ato jo vetëm që do të raportojnë, por do të inkurajojnë aktorë të tjerë, si politikanët kombëtarë dhe evropianë, të veprojnë si dhe të luftojnë dezinformimin”, thuhet në deklaratë.

”Media formon diskursin publik mbi ndryshimet klimatike dhe ka fuqinë për të nxitur ndryshimin”, theksohet në të.

AMAN gjithashtu u angazhua që gazetarët të bashkëpunojnë më ngushtë dhe të rrisë numrin e seminareve të përbashkëta edukative.

”Theksi në strategjitë e raportimit do të jetë gjithashtu tek personat e privuar nga e drejta dhe të rinjtë”, thuhet në deklaratë.

Në punimet e kësaj asambleje, e kryesuar nga Nina Obuljen Korzinek, ministrja kroate e Kulturës dhe Medias, u miratua edhe “Deklarata e Dubrovnikut” për zhvillimin e qëndrueshëm në Mesdhe.

Kjo deklaratë përmban ”angazhimin e agjencive mesdhetare të lajmeve për të marrë përgjegjësinë e plotë për veprimet e tyre në mbrojtjen dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm në mbarë botën, veçanërisht në rajonin e Mesdheut”.

Agjencitë njohin, nëpërmjet kësaj deklarate, “rëndësinë thelbësore të rolit të medias në procesin e zbatimit të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe agjendës Mjedisore, Sociale dhe Qeverisëse (ESG) dhe shprehin angazhimin e tyre për të përmbushur rolin e tyre social për të cilin ata janë plotësisht përgjegjës në nivel kombëtar dhe lokal”.

Deklarata e Dubrovnikut njeh shtrirjen e përgjegjësisë së agjencive të lajmeve në rolin e tyre social të informimit, në mënyrë objektive dhe të paanshme, dhe nevojën që ato të jenë të hapura ndaj partneriteteve ndërsektoriale në mënyrë që të përmbushin sa më mirë misionin e tyre profesional dhe moral dhe në këtë mënyrë të kontribuojnë në zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Axhendës ESG, në sektorin privat dhe publik, si dhe në shoqërinë civile.

Agjencitë janë të përkushtuara për të koordinuar përpjekjet e tyre në mjediset e tyre kombëtare për të nisur dialogun dhe për të nxitur partneritete dhe rrjete të tilla, duke e ditur se vetëm përpjekjet e koordinuara mund të sjellin ndryshimin e nevojshëm për të garantuar një të ardhme më të sigurt për brezat që vijnë.

Në Asamblenë e Përgjithshme të AMAN-it u dhanë edhe dy çmime mediatike.

Gazetari sirian, Mhd Imad Aldaghly i agjencisë siriane të lajmeve, SANA u vlerësua për artikullin më të mirë, atë mbi zbulimin arkeologjik të vulave të lashta asiriane, ndërsa Miguel Calero i Spanjës i agjencisë EFE u vlerësua për fotografinë më të mirë, për një nga vullkanet që shpërtheu në ishullin La Palma.

Vitin e ardhshëm AMAN do të mblidhet në Tunizi dhe në 2024 në Itali./ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAXHENDA NDËRKOMBËTARE 13/10/2022
Artikulli tjetërPunime restaurimi në Urën e Leshnicës së Poshtme, monument kulture