TIRANË, 3 tetor/ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli zhvilloi një takim me 7 praktikantë të përzgjedhur nga thirrja 7-të e programit kombëtar të praktikave të punës, organizuar nga ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët.
Në fjalën e tij, Gazheli inkurajoi të rinjtë për të marrë dijet e duhura gjatë periudhës 3-mujore të provës duke u fokusuar në Kodin Doganor dhe legjislacionin në fushën e doganave, praktikën e punës në departamentin administrativ, departamentin teknik të akcizës (laboratori doganor) dhe degë doganore.
Duke ndarë eksperiencën e tij në fillimet e karrierës në administratën doganore, Gazheli theksoi, se “fokusi kryesor duhet të jetë shërbimi me korrektësi dhe profesionalizëm ndaj qytetarëve dhe biznesit. Ndërkohë që hapja e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian është sfida e radhës e Administratës Doganore ndaj dhe kërkon përgatitjet e duhura teknike për negociatat e anëtarësimit”.
Nga lista e 25 kandidatëve që kanë aplikuar për DPD, 7 praktikantët janë përzgjedhur në bazë të nivelit të arsimit, mesatares dhe letrave të motivimit.
/j.p/r.e/






















