Ballina Flash

Tabaku diskuton me ambasadoren Kim prioritetet e procesit të integrimit

TIRANË, 27 shtator/ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku zhvilloi sot një takim me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, me të cilën diskutoi për prioritetet e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe rëndësinë e përfshirjes së drejtësisë.

Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku tha se “s’ka rrugë tjetër veç përmbushjes së kushteve për të sjellë ndryshimin: luftimi i korrupsionit, krimit të organizuar dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme duhet të jenë kryefjala e politikës”.

“Gjithashtu fokus të veçantë me ambasadoren Kim morën dhe shqetësimet e opozitës dhe ekspertëve të pavarur mbi nismat e fundit qeveritare si: amnistia fiskale, pasaportat e arta, legalizimi i kanabisit që nuk janë projekte nën frymën e integrimit ndaj iu duhet thënë stop”, u shpreh Tabaku.

Tabaku u shpreh e angazhuar për të mbikëqyrur dhe kontrolluar punën e qeverisë në këtë proces, ndërsa theksoi se duhet ndryshuar mentaliteti i administratës publike.

Deputetja Tabaku i bëri thirrje qeverisë ta përdorë procesin e integrimit si një mënyrë për tërheqjen e mijërave të rinjve të talentuar, që janë larguar nga Shqipëria.

/k.s/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSOFJE – Bullgaria këshillon qytetarët e saj të largohen nga Rusia
Artikulli tjetërShqipëria nis negocimin për grupin e kapitujve themelorë