TIRANË, 16 shtator /ATSH-I.Vata/ Ka mbërritur në Shqipëri agjenti special Brendan Leddy, së bashku me personel shtesë të DEA-s, që do të bashkëpunojnë ngushtë me SPAK në luftën kundër narkotikëve dhe krimit të organizuar.
Lajmi bëhet i ditur në faqen zyrtare të Ambasada së SHBA-së, e cila njofton mbërritjen e agjentëve amerikanë.
Në njoftim, thuhet se Ambasada e SHBA ka kënaqësinë të mirëpresë në Shqipëri agjentin special të Administratës së Zbatimit Ligjor kundër Narkotikëve (DEA), Brendan Leddy.
“Ambasadorja Kim u takua me agjentin special Leddy për ta mirëpritur atë në ekip dhe për të diskutuar të ardhmen e pranisë së DEA-s në Shqipëri”, bën të ditur Ambasada.
Ambasada njofton se, agjenti special Leddy së bashku me personelin shtesë të DEA-s do të bashkëpunojnë ngushtë me SPAK dhe homologët shqiptarë të zbatimit të ligjit për forcimin e partneritetit në operacionet ndërkombëtare kundër narkotikëve dhe krimit të organizuar.
Agjenti Special Leddy do të mbështesë më tej ndërtimin e aftësive në teknikat e hetimit kundër narkotikëve.
/r.e/























