TIRANË, 15 shtator /ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka deklaroi sot se, procesi i integrimit evropian të Shqipërisë ka hyrë në një etapë të re me fillimin e negociatave.
Në fjalën e saj në Kuvend ku po diskutohet projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes financiare kuadër të partneritetit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, dhe Komisionit Evropian, për rregullat specifike të zbatimit të asistencës financiare të BE-së, për Republikën e Shqipërisë, në kuadër të instrumentit për Asistencën e Paraanëtarësimit (IPA III)”, Xhaçka u shpreh se, “miratimi nga Kuvendi i rregullave të reja të asistencës financiare të BE-së, nëpërmjet instrumentit të paraaderimit IPA III vjen në një moment ku procesi ynë i integrimit evropian ka hyrë në një etapë të re me fillimin e negociatave për anëtarësim, ku procesi sigurisht që bëhet më kërkues përsa i përket ritmit të arritjes së standardeve që vendos legjislacioni i BE”.
Xhaçka theksoi se, “kjo përfshin jo vetëm përafrimin me legjislacionin e BE-së dhe zbatimin e tij nëpërmjet kapaciteteve të duhura administrative, por edhe investimeve që kërkon zbatimi i këtyre standardeve evropiane”.
Prandaj, shtoi Xhaçka, “në këtë moment është jetike që të kemi një përdorim më efikas të asistencës financiare të BE-së për të mbështetur zbatimin e reformave politike, institucionale, ligjore, administrative, sociale dhe ekonomike që kërkohen për të qenë në linjë me vlerat e BE-së dhe për të përafruar gradualisht rregullat, standardet, politika dhe praktikat e BE-së me qëllimi anëtarësimin në BE”.
“Pikërisht kësaj rritjeje të efektivitetit në përdorimin e fondeve të BE-së, i shërbejnë dhe këto rregulla të reja të menaxhimit të IPA-s për periudhën deri në vitin 2027 që miratojmë sot. Programet IPA në këtë periudhë të re do të financohen dhe do të zbatohen brenda kuadrit ligjor, administrativ dhe teknik të parashikuara në këtë marrëveshje financiare kuadër”, tha Xhaçka.
“Përparësi i jepet dhënies së asistencës financiare me bazë sektoriale që të sigurohet përqasje më afatgjatë, më koherente dhe më e qëndrueshme që të rritet pronësia, që të lehtësohet bashkëpunimi ndërmjet donatorëve, të eliminohet dublimi i përpjekjeve dhe të rritet efektiviteti”, theksoi Xhaçka.
“Projektet e viteve 2017 dhe në vijim janë ende në zbatim për disa vite. pra niveli i disbursimit do të rritet në vitet në vijim dhe nuk janë të vërteta ato që u paraqitën këtu nga një deputete e opozitës. Një tabelë që në fakt është një tabelë e përcjellë nga vetë agjencia dhe që nuk është dëshmi e mungesës së transparencës, por është dëshmi e të kundërtës, e transparencës me menaxhimin e këtyre financimeve. Dhe është tregues që institucionet tona shqiptare, edhe ajo tabelë që u paraqit këtu, ato të cilat do të jenë drejtpërdrejt të angazhuara me menaxhimin e këtyre fondeve do të jenë të akredituara si CFCU-ja si AZHBR-ja”, tha ajo.
Xhaçka u shpreh se disa nga parimet që udhëheqin asistencën financiare të BE-së në kuadrin e IPA janë fokusimi te qëndrueshmëria e asistencës IPA nga përfituesit.
“Asistenca IPA jepet në partneritet me përfituesin IPA mbi bazën e kuadrit programues të IPA, ndërsa përfituesi IPA ruan autorësinë mbi programimin dhe zbatimin e asistencës IPA. Qasja sektoriale synon të rrisë koherencën ndërmjet strategjive kombëtare, politikave sektoriale, alokimit të burimeve dhe praktikave të shpenzimit. Asistenca IPA III diferencohet në objekt dhe intensitet sipas performancës së përfituesit IPA III, veçanërisht në varësi të përkushtimit dhe ecurisë së zbatimit të reformave, si edhe në varësi të nevojave”, tha Xhaçka.
Ajo shtoi se, “të gjitha këto, të gjitha institucionet që kanë të bëjnë me këtë proces i kanë shumë të qarta dhe dua të nënvizoj këtë pikë – varësinë e asistencës financiare nga ecuria e zbatimit të reformave që lidhen me integrimin, sepse fakti që Shqipëria në reforma kyçe si ajo e sistemit të drejtësisë, është në pararojë dhe model për vendet e e tjera përfituese nga IPA, na bën optimistë mbi shkallën e përfitimit nga instrumenti i ri i asistencës financiare të BE-së”.
Sa i përket fushave që do të mbështesë Instrumenti i ri financiar IPA III deri në vitin 2027, Xhaçka u shpreh se, “IPA do të promovojë vlerat e përbashkëta evropiane, do të nxisë reformat për modernizimin e shoqërisë dhe ekonomisë, do të vazhdojë të ndihmojë rimëkëmbjen ekonomike nga COVID-19, e gjithashtu do të mbështesë procesin e përafrimit me rregullat dhe standardet e BE-së. Për këtë qëllim janë vendosur në dispozicion të të gjitha vendeve përfituese (6 vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia) për 2021-2027 një total prej 14.2 miliardë euro, duke shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me fondet e alokuara për IPA II prej 12.8 miliardë euro”.
“Ndryshe nga asistenca e mëparshme, nuk ekziston një paketë e caktuar financiare për çdo vend për çdo vit programues të IPA III, por vendet përfituese duhet të konkurrojnë midis tyre nëpërmjet prezantimit të projekteve të maturuara për secilën nga dritaret programuese. Tashmë janë ndërmarrë nga qeveria shqiptare një sërë vendimesh që lehtësojnë zbatimin e projekteve me fonde IPA, nisur edhe nga të gjitha vështirësitë dhe problematikat e evidentuara ndër vite”, vijoi Xhaçka.
“Konkretisht në 2021, u vendos për herë të parë një fond i dedikuar në buxhetin e shtetit, me anë të të cilit mundësohet mbështetja financiare e të gjithë institucioneve publike qendrore dhe vendore, për parafinancimin, bashkëfinancimin dhe pagesën e TVSH dhe të detyrimeve doganore. Ky mekanizëm ka lehtësuar procesin e implementimit duke i dhënë mundësi përfituesve shqiptarë të zbatojnë brenda afatit kohor dhe me sukses të aktiviteteve të parashikuara në projektet e fituara, duke dëshmuar aftësi dhe angazhim kombëtar në përthithjen e këtyre fondeve. Në funksion të mbështetjes së procesit programues, është vënë në dispozicion një fond për të ndihmuar institucionet përfituese me qëllim hartimin e projekteve sa më cilësore dhe të maturuara “, theksoi ministrja Xhaçka.
Gjithashtu, shtoi Xhaçka, “vlen të përmendet se nën IPA III për të gjitha mallrat, shërbimet apo punimet e importuara parashikohet përjashtim nga detyrimet doganore, TVSH dhe detyrime të tjera ekuivalente me to”.
“Këto vendime do të mundësojë që në IPA III të përmirësohet përthithja e fondeve nga përfituesit potencialë shqiptarë, duke u bërë më konkurrues, konsideruar që IPA III në thelb bazohet mbi konkurueshmërinë e projekteve mes vendeve pjesëmarrëse”, u shpreh ajo.
“Marrëveshja e sotme është po ashtu një lajm shumë i mirë, i hap rrugën edhe përfitimit të universiteteve. Financimit nga Raise, Erasmus plus, marrëveshje ndërkufitare që quhen ndryshe cross border”, nënvizoi ministrja Xhaçka.
“Kjo është një etapë e re në të cilën ka hyrë procesi ynë i integrimit shoqërohet më një instrument të përforcuar të asistencës financiare të BE, që do të na ndihmojë më mirë në përballimin e sfidave të reja të procesit. Sepse sfida do të ketë dhe do të jenë sfida jo të lehta. Por i kemi të gjithë mundësitë që t’i përballojmë këto sfida me sukses, duke synuar madje, të rikuperojmë kohën e humbur”, përfundoi ajo.
/r.e/























