TIRANË, 11 shtator/ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi përcolli një mesazh urimi për nxënësit dhe mësuesit, një ditë para fillimit të vitit të ri shkollor.
Përmes një videomesazhi publikuar në rrjetet sociale, ministrja Kushi nënvizon se ky vit shkollor vjen me shumë projekte dhe nisma për një arsim cilësor të barabartë dhe gjithëpërfshirës.
Në videomesazh nënvizohen risitë e këtij viti të ri shkollor, siç janë rritja e numrit të punonjësve psiko-socialë, mësuesve ndihmës, oficerëve të sigurisë, zgjerimi i projektit “Bëjmë detyrat e shtëpisë” në 150 shkolla të tjera, formimi i 400 klasave sportive në 6 disiplina dhe programi i veçantë sportiv për nxënësit me aftësi ndryshe.
Psikologia Olta Jacellari shprehet se edhe 235 kolegë të tjerë i shtohen shërbimit psiko-social në shkolla duke e zgjeruar më shumë shërbimin pastaj cilësinë.
“Ky vit i ri shkollo do të na gjejë edhe më pranë fëmijëve me aftësi ndryshe. Këtë vit do të kemi edhe 250 mësues ndihmës më shumë”, shprehet mësuesi ndihmës, Amaeda Alushji.
Denalda Liçaj, oficere sigurie thekson në video-mesazh se këtë vit mësimor do të jenë 75 oficerë sigurie më shumë.
Ajo shprehet se këtë vit do jemi jo vetëm në gjimnaze, por edhe në shkollat 9-vjeçare ku ka numër të lartë nxënësish.
Gjithashtu risi e këtij viti të ri mësimor janë edhe përfshirja e lëndës së Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit në klasat e para, abetarja e re e përbashkët në Shqipëri dhe Kosovë si dhe hapja e shkollës së mesme për nxënësit e Institutit të Fëmijëve që nuk Dëgjojnë.
“Këtë vit vijmë më lëndën e Teknologjisë dhe Informacionit dhe Komunikimit për klasat e para. Ngritja e laboratorëve në 100 shkolla na motivojnë më shumë”, shprehet Brikena Rapi mësuese për lëndën TIK.





















