Ballina Flash

Përurohet Shkolla e Mesme e Bashkuar “Nesim Kacani” në Miras, Devoll

TIRANË, 9 shtator/ATSH/ Shkolla e Mesme e Bashkuar “Nesim Kacani” në fshatin Miras të bashkisë së Devollit, do të presë në 12 shtator nxënësit me kushte më të mira.

Në fshatin Miras u zhvillua dje ceremonia e përurimit të rikonstruksionit të kësaj shkolle, një projekt i bashkëfinancuar nga BE përmes IADSA dhe bashkia e Devollit, me një vlerë investimi 37,220,010 lekë.

Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole, i pranishëm në ceremoninë e përurimit tha se “shkolla, e rikonstruktuar në të dyja godinat dhe në mjediset e saj të jashtme, ka tani kushte shumë të mira për të pritur nxënësit në fillimin e sezonit të ri arsimor në muajin shtator”.

Sipas tij, përmirësimi i vazhdueshëm i infrastrukturës arsimore, mbetet një nga prioritetet kryesore të qeverisë shqiptare.

Ditët e fundit prefekti Jole zhvilloi një takim me drejtuesit e zyrave arsimore në bashkitë e qarkut, përfaqësues të ndërmarrjeve të shërbimeve mbështetëse për arsimin dhe kopshtet në çdo bashki, si dhe me drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë, ku u diskutua për zgjidhjen e të gjitha problematikave që vihen re gjatë procesit të mësimdhënies.

/k.s/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPeleshi, pjesë e takimit të pestë të Grupit të Kontaktit për Ukrainën
Artikulli tjetërANKARA – Erdogan: Turqia arreston një nga liderët e ISIS-it