Ballina Aktualitet

Berisha: Projekti për Portin e Durrësit aferë korruptive

TIRANË, 29 gusht /ATSH-I.Vata/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se “projekti për Portin e Durrësit është afera më korruptive në Evropë”.

Në një deklaratë për mediet, Berisha tha se në shekuj dhe mijëvjeçarë porti i Durrësit i ka dhënë Shqipërisë rolin më të rëndësishëm dhe strategjik në rajon, përcaktohet nga Komisioni i Transportit të BE, së bashku me Portin e Tivarit, si njëri nga dy portet e rëndësisë strategjike për BE-në, çka do të thotë për rajonin dhe transportin në kuadrin e kësaj hapësire.

“Edi Rama, pa asnjë konsultë paraprake me qytetarët e Durrësit, me grupe interesi dhe asnjeri tjetër përveç xhepit dhe llogarive të tij, po e shndërron portin e Durrësit në Dubain e familjes së tij”, tha ai.

Sipas tij, Rama dhe kompania e tij përvetësojnë mbi 1 mln metra katrorë truall për ndërtime, baraz kjo me rreth 3 miliardë euro.

Në këtë aferë me pasoja të rënda strategjike për vendin që synojnë defaktorizimin e Shqipërisë dhe rolit të saj strategjik në transportin e BE dhe NATO, shton Berisha, Edi Rama parashikon me makinerinë e mashtrimit të tij, investime prej 2 miliardë eurosh në marinën turistike.

“Njeriu që ka marrë përsipër këtë investim, parashikonte një investim prej 4 miliardë eurosh në Serbi, dhe përfundoi me një investim prej 20 milionë eurosh. Dëmi është i pallogaritshëm, sepse me këtë lëvizje, taksapaguesit shqiptarë gjobiten me së paku 1 miliard euro, që sipër Edi Ramës do përdoren për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano”, tha ai.

Ai i kërkoi Ramës që të heqë dorë nga kjo përpjekje, investitorit Alabbar të heqë dorë dhe të mos përdoret nga kryeministri, si dhe BE-së të nisë një hetim.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKule: Disa faza për regjistrim në Fakultetin Ekonomik
Artikulli tjetërPRAGË – Scholz: Të ruajmë sigurinë dhe stabilitetin e Europës