TIRANË, 22 gusht/ATSH/ Volumi i ndërtimeve në kuadër të procesit të rindërtimit pas tërmetit të fortë që goditi vendin tonë më 26 nëntor 2019, por edhe për shkak të rritjes në treg të çmimit të hekurit pas agresionit rus në Ukrainë, bënë që vlera e importeve të materialeve të ndërtimit të shënojë rritje përgjatë 7-mujorit të këtij viti.
Referuar të dhënave të publikuara nga INSTAT mbi tregtinë e jashtme, gjatë kësaj periudhe, importi i materialeve të ndërtimit dhe metaleve shënoi rritje vjetore prej 4.4 %.
Në vlerë, importet e materialeve të ndërtimit dhe metaleve për këtë periudhë llogariten 79 miliardë lekë me një rritje mujore prej rreth 10.8 miliardë lekësh, dhe rreth 18.7 miliardë lekë më të larta se në të njëjtën periudhë të 2021-shit, kur u importuan 60.3 miliardë lekë material ndërtimi dhe metale.
Në vitin 2021 llogariten 111.8 miliardë lekë importe materialesh ndërtimi dhe metalesh, nga 78.2 miliardë lekë që ishin në 2020-ën.
Qeveria thotë se rritja e ndjeshme e çmimeve për materialet e ndërtimit ka ngadalësuar ose ndaluar një pjesë të kontratave publike, pasi ecuria e mëtejshme do të shkaktonte humbje të ndjeshme të parikuperueshme për kompanitë e ndërtimit deri në falimentimin e tyre.
Pas analizës që kreu mbi zbatimin e buxhetit të shtetit për 5-mujorin, u vu re se niveli i investimeve publike me financim të brendshëm ishte ngadalësuar, duke arritur në 14 % të totalit të shumës së programuar për vitin 2022, nga 31 % që ka qenë në të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Nisur nga kjo situatë, qeveria hartoi një Akt Normativ, përmes së cilit përcaktohen rregullat për kompensimin nga 5-30 % të çmimit të disa materialeve të ndërtimit që kanë pësuar rritje.
/r.e/























