TIRANË, 25 korrik /ATSH-I.Vata/ Ish-presidenti Ilir Meta, një ditë pasi la detyrën, u shpreh për mediet se nuk do të marrë drejtimin e LSI, por do t’i bashkohet, siç tha ai, triumfit të referendumit të 2 marsit që është sovraniteti i Republikës së Shqipërisë e i përket popullit.
Në një deklaratë për mediet, Meta deklaroi sot se ka ardhur momenti për një transformim të sistemit në vend, dhe ka ardhur momenti që populli i jashtëzakonshëm i 2 marsit të nisë rrugën e tij, të shumëfishohet ditë pas dite dhe sa më shpejt të triumfojë referendumi, si e vetmja rrugë, si e vetmja mënyrë që do të vendosë nën kontroll këtë klasë politike të papërgjegjshme.
“Jam i sigurtë që kjo gjë që do të ndodhë shumë shpejt dhe jam absolutisht i bindur që referendumi i ka munguar popullit që nga viti 1998 kur vetë populli e vendosi këtë mundësi të ushtrimit të sovranitetit në Kushtetutë. Referendumi do të jetë shpata e Demokleut me të gjithë uzurpatorët dhe tradhtarët, Esat Pashë të ri të këtij vendi që kanë vënë në diskutim sovranitetin e vendit edhe interesat kombëtare të vendit dhe që i ngulin thika pas shpinë në mënyrë sistematike edhe shpejtësisë së Kosovës dhe interesave të shqiptareve kudo janë”, tha ai.
Duke folur për konventën e LSI-së, Meta tha se “fjalën time do ta filloj me llogaridhënie lidhur me këto 5 vite në rolin e Presidentit, sepse nëse u bëra president u bëra për shkak të LSI”.
I pyetur nëse do të marrëi drejtimin e LSI-së apo do të krijojë një forcë të re politike, Meta u shpreh se “nuk jam këtu për të marrë drejtimin e LSI-së, sepse këtë drejtim e lashë me vullnet të lirë dhe me ndërgjegje të lirë përpara 5 viteve.”
“Unë jam këtu për të sjellë mesazhin e popullit 2 marsit pjesë e të cilës ka qenë edhe LSI dhe për t’u bashkuar të gjithë së bashku në triumfin e mesazhit të 2 marsit dhe triumfin i 2 marsit është: “Sovraniteti i Republikës së Shqipërisë i përket popullit” dhe populli shqiptar ka ardhur momenti ta ushtrojë drejtpërdrejt dhe kjo do bëhet e mundur në mënyrë të padiskutueshme”, theksoi Meta.
/j.p/r.e/














