Ballina Flash

“Njeriu i mirë” i kinematografisë shqiptare

TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Në kuadër të Muajit të Kinematografisë, ministrja e Kulturës Elva Margariti ka përzgjedhur nga fondi i Kinostudios “Shqipëria e Re”, filmin “Njeriu i mirë”, prodhim i vitit 1982.

“Njeriu i mirë”, me regji të dy regjisorëve Ibrahim Muçaj e Kristaq Mitro, ka në qendër të tij konfliktin mes 3 personazheve kryesorë: Verës, Telos dhe Kiços.

Skenari nga Nexhati Tafa trajton linjën e dashurisë mes Verës e Telos, e cila has në kundërshtimin e vëllait të Verës, Kiços. Kur mëson për dashurinë e së motrës, Kiçoja bën çmos të minojë lidhjen mes Verës e Telos, duke dashur të bëjë një krushqi më të leverdisshme për karrierën e tij profesionale.

Protagonistë në filmin “Njeriu i mirë”, gjejmë emra me vlerë të kinematografisë shqiptare si Vangjush Furxhi, Bujar Asqeriu dhe Eva Alikaj, e cila megjithëse e re në profesion, mori vlerësime të shumta për interpretimin e saj në këtë film, duke qëndruar me dinjitet edhe përballë një aktori kalibri si Furxhi.

Muzikën e filmit “Njeriu i mirë” e ka shkruar i mirënjohuri Hajg Zaharjan.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNis shkolla ndërkombëtare verore e matematikës
Artikulli tjetërAkuza për trafik organesh, PS rezolutë kundër raportit të Dick Marty